2012-12-14 18:21:43

Të dielën fillon nëntëshja, që i paraprin Krishtlindjes


Në të Dielën III të Ardhjes, e cila quhet edhe e Gëzimit, fillon nëntëshja, që i paraprin Krishtlindjes. “Zoti është afër!” thuhet në Leximin e dytë të liturgjisë së sotme. Gëzimi i krishterë nuk është shpërfillje e thjeshtë, argëtim, ose mungesë shqetësimi, por është vetëdije se, edhe në travajët më të vështira, nuk duhet ta ndjejmë veten të braktisur, sepse kemi mes nesh një Shëlbues të fuqishëm, të aftë të na ndihmojë në problemet e jetës, siç thotë Leximi i parë.
Çdo njeri mund t’i njohë shenjat e vogla, por të përditshme, që Zoti na jep. Hyji nuk vjen me ndonjë rrufe, që shkatërron e djeg, duke ndryshuar rendin e natyrshëm të ngjarjeve të kësaj bote, por na paraqitet me Fjalën e vet, e cila ndryshon zemrat. Si një shpatë me dy tehe, ajo e përshkon zemrën e njeriut, por e pastron atë nga mëkati, që bën fole në ndërgjegjen e secilit, duke na ftuar të jetojmë thjesht e me nder.
Krishti, Foshnja Hyjnore që presim të lindë, është Lajmi i i Mirë i shpëtimit: në duart e Tij mund t’i lemë të gjitha nevojat e të gjejmë dritë e forcë për udhën e jetës. Ai na dhuron paqen e zemrës e lumturinë, sepse na siguron se kemi pranë një shok, një udhëheqës, një mësues, që na tregon udhën drejt shenjtërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.