2012-12-14 18:20:02

Tweet-i i parë i Papës, në audiencën e përgjithshme. Imzot Raspanti: me Twitter-in, Papa është i pranishëm në çdo shesh të botës


Benedikti XVI shkroi të mërkurën, gjatë audiencës së përgjithshme, kushtuar ardhjes së Hyjit në tokë e mënyrës se si e pret bota, mesazhin e tij të parë në rrjetin shoqëror Twitter, në internet, ku tashmë e ndjekin gati 2 milion vetë. Në atë çast, së bashku me Papën, ndodheshin edhe 5 të rinj nga 5 kontinentet e botës, për të nënvizuar universalitetin e këtij gjesti. Gjatë po asaj dite, Ati i Shenjtë iu përgjigj tri pyetjeve, që i kishin ardhur nga ndjekësit.
“Si ta jetojmë fenë në Jezu Krishtin në një botë pa shpresë?” – pyeste njëri. “Me sigurinë – përgjigjet Papa me 140 shkronjat e lejueshme për një tweet – se kush beson nuk është kurrë vetëm. Zoti është shkëmbi i sigurtë mbi të cilin duhet ndërtuar jeta e dashuria e Tij është gjithnjë besnike”. Në përgjigjen tjetër, Benedikti XVI na fton ta jetojmë Vitin e Fesë, duke e dëgjuar e duke folur me Jezusin, por sidomos duke e takuar në më nevojtarët. Në mbrëmje, tweet-i i fundit i Atit të Shenjtë i përgjigjej pyetjes së një besimtari, që donte të dinte se kur mund të lutej, ndërsa është i zënë gjithnjë me çështjet e punës, të familjes e të botës. E Papa i thotë t’ia ofrojë Zotit çdo gjë që bën, t’i lutet ta ndihmojë në çdo rrethanë të jetës së përditshme e të kujtohet se e ka Hyjin gjithnjë pranë.
Prania e Benediktit XVI në Twitter është ftesë për të gjithë besimtarët, të cilët duhet ta ungjillëzojnë kontinentin dixhital. Kështu mendon njëri nga ipeshkvijtë e regjistruar në këtë rrjet shoqëror, ipeshkvi i Açireales në Itali, imzot Antonio Raspanti:
Prej disa dhjetëvjeçarësh, mbajmë mbi vete opinionin se meqë Kisha ecën ngadalë, meqë nuk është aq instinktive, atëherë vetëm sa u shkon mbrapa të rejave, por Papët, të gjithë papët, sapo janë zbuluar teknologjitë e reja, kanë qenë gjithnjë të gatshëm t’i përdorin, sepse Kisha sheh në to të mirën e njeriut, bukurinë e gjithësisë. Rrjetet shoqërore janë si sheshe, ku ti flet, por ai tjetri të përgjigjet, të gjykon. Duke reflektuar për këtë, po mendoja si kemi kaluar nga një kulturë, në të cilën Papët ishin të paafrueshëm – se ashtu mendohej atëherë – tek Papët e televizionit, të radios e sot, tek një Papë, që del në shesh bashkë me të tjerët. Përveç sheshit të Shën Pjetrit, duke qenë i pranishëm në Twitter, Benedikti XVI ndodhet njëkohësisht në çdo shesh të botës dhe i lë njerëzit ta gjykojnë, pa pasur frikë nga kritikat. Mendoj se është një sfidë e jashtëzakonshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.