2012-12-14 13:27:10

Krishtlindja me Papën: “Kushtet historike universale”.


Në emisionin e 9-të të rubrikës “Krishtlindja me Papën”, po shfletojmë shpejt e shkurtimisht, librin e Benediktit XVI, deri në fund, për t’u rikthyer, pastaj, përsëri, tek simbolet kryesore të “Fëmijërisë së Jezusit.
Pasi argumenton zënien virgjërore të Marisë, për të cilën folëm në emisionin e tetë të rubrikës sonë, Papa Ratcinger hap një faqe të re të librit, në krye të së cilës shkruhet ‘Kapitulli III’. Ky kapitull i kushtohet ngjarjes së madhe të Betlehemit dhe rrethanave historike të lindjes së Jezusit. Shën Luka ungjilltar na e paraqet lindjen e Jezusit në rrethana historike-universale të caktuara, e Benedikti XVI i përshkruan duke nënvizuar atmosferën e veçantë, që jetohej në epokën e perandorit romak Augusti si dhe mendimin që kishte sundimtari i madh për vetveten. Bota e asaj kohe, pohon Papa, ishte gati, në pritje të diçkaje të re, të një mesazhi shpëtimtar.
Krishti, vijon të kujtojë Benedikti XVI, lindi në kohën kur Perandoria romake, e sunduar nga Augusti, shtrihej nga Lindja në Perëndim e, me përmasën e saj, krijonte kushtet për hyrjen në botë të Atij, që do të sillte shëlbimin universal. Kohët u përmbushën, vëren Papa, e pastaj përshkruan një për një elementet e veçanta të rrëfimit ungjillor mbi lindjen e Jezusit, të gjitha, të ngarkuara me vlerë simbolike. E të gjitha, të pranishme në Shpellat tona të Betlehemit, tashmë në përfundim e sipër, e në zakonet e Krishtlindjes, duke u prirë lexuesve drejt realitetit të madh, në të cilin realizohet, në mënyrë misterioze, shpërblimi i botës. Benedikti XVI na shpjegon pse Jezusi lindi në Betlehem, përcakton datën e lindjes, që nuk është mitike, por historike, simbolikën e grazhdit, kuptimin e shprehjes “Paqe mbi tokë njerëzve vullnetmirë”, varfërinë, zgjedhur nga i Parëlinduri i universit për të ardhur në botë, ndriçimin kozmik, që mbështjell grazhdin. Ndalet më pas tek dashuria e veçantë e Zotit për të varfërit, e cila duket qartë në kumtin drejtuar barinjve, në fjalët e Glorias, Himnit të Lumnisë drejtuar Hyjit, objekt, kujton Papa, i përkthimeve, që i bien ndesh njëri- tjetrit.
Arrijmë kështu tek Mbretërit dijetarë. Tre Mbretërit, pasi kishin parë duke lindur Yllin e mbretit të Judenjve, ishin nisur për ta adhuruar.
Kapitullin IV Papa ia kushton ikjes së Familjes Shenjte në Egjipt. Këtu figurat e mágoi apo të priftërinjve të lashtë, rindërtohen përmes një game shumë të pasur informacionesh historiko-linguistike-shkencore, duke u përvijuar si emblemë magjepsëse e shqetësimit, e kërkimit, e shpresës së pashuar të shpirtit njerëzor.
Në fund epilogu, me rrëfimin, sipas Ungjillit të Lukës, të episodit të mbramë të fëmijërisë së Jezusit, lajmit të fundit që kemi, para fillimit të jetës së tij publike, me pagëzimin në lumin e Jordanit. Është episodi i tri ditëve, gjatë shtegtimit të Pashkëve, në të cilin Jezusi, dymbëdhjetë vjeçar, largohet nga Maria e Jozefi e mbetet në tempullin e Jeruzalemit për të diskutuar me dijetarët. Ai, që rritej në dije, mote e hir, dëftohet, këtu, në misterin e natyrës së Tij si Hyj i vërtetë e njëkohësisht, si njeri i vërtetë, që mendon e mëson në mënyrë njerëzore.
Në emisionet e ardhshme, duke ndjekur Zojën, Jozefin, Foshnjën Hyjnore e Mbretërit Dijetarë, do të merremi hollësisht pikërisht me këto argumente, duke e shoqëruar Jezusin, së bashku me Papën, deri në Egjipt, për të vijuar pastaj miqësinë e lidhur me Zotin edhe përmes shfletimit të Librit të Benediktit XVI, në çdo çast të jetës sonë.
Në emisionin e ardhshëm, pse Jezusi lindi në Betlehem e në kohën e perandorit August.







All the contents on this site are copyrighted ©.