2012-12-14 18:18:14

Benedikti XVI: “Paqja nuk është utopi”.


Mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes 2013, u botua sot, mbi temën “Lumë veprimtarët e paqes”. Mesazhi papnor për nga gjerësia e vështrimit, mund të quhet një enciklikë e vogël. Sfondi i tekstit papnor karakterizohet nga dy ngjarje të para një shekulli: fillimi i punimeve të Koncilit Kishtar të II të Vatikanit, hapur më 11 tetor 1962, e ‘Pacem in terris’, e 11 prillit të viti 1963, enciklika e fundit e Papës Gjoni XXIII që paraqiti e propozoi katër shtyllat themelore të bashkëjetesës paqësore: të vërtetën, lirinë, dashurinë dhe drejtësinë.
Konteksti botëror karakterizohet nga konfliktet dhe erërat e luftërave, shkaktuar e përforcuar nga fenomene shpesh të denoncuara, jo vetëm nga Selia e Shenjtë, e përsëri të numëruar në mesazh: nga kapitalizmi financiar i çrregulluar deri te terrorizmi, madje deri te fenomenet e fundamentalizmave e të fantazmave që e shpërfytyrojnë fytyrën e vërtetë të feve. Po nuk duhet të dorëzohemi para ashpërsisë së frymëzuar nga kriteret e pushtetit apo të përfitimit, ripohon edhe një herë Papa Benedikti XVI e propozon edhe më me fuqi një slogan të njohur të Palit VI, jashtëzakonisht të përshtatshëm për tweet: “Paqja nuk është një ëndërr, nuk është një utopi: është e mundshme”.
“Për t’u bërë veprimtarë të vërtetë të paqes – shkruan Papa – është themelore vëmendja ndaj përmasës transhendentale dhe bashkëbiseda e përhershme me Zotin”. Sipas Atit të Shenjtë, “njeriu kështu mund të fitojë mbi atë farë të errësirës e të mohimit të paqes që është mëkat në të gjitha format e veta: egoizëm e dhunë, lakmi e vullnet për fuqi dhe dominim, intolerancë, urrejtje e struktura të padrejta”.
Kohët tona, që karakterizohen nga globalizimi, me aspektet e veta pozitive e negative, si konfliktet e përgjakshme që akoma po zhvillohen në shumë vise e nga kërcënimi i luftërave, “kërkojnë prej nesh një angazhim të përforcuar dhe koral në kërkim të së mirës së përbashkët, në mbështetjen e zhvillimit të të gjithë njerëzve e të njeriut në tërësi”, vëren Papa, që mes tjerash na tërheq vëmendjen e rolit të vërtetë që duhet të kenë institucionet dhe Kisha në favorizimin e një “kulture të vërtetë të paqes” .







All the contents on this site are copyrighted ©.