2012-12-14 18:34:48

Atë Lombardi për mesazhin papnor të Ditës Botërore të Paqes: ç’do të thotë të punosh për paqen?


Të premten e kaluar, u paraqit në Vatikan, mesazhi i Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes, e cila si zakonisht, festohet në ditën e Vitit të Ri, më 1 janar 2013. Ati i Shenjtë Ratcinger uron që bota të ndjekë një model të ri ekonomik e t’i japë fund diktaturës së relativizmit, e cila e ka bërë çdo veprim të justifikueshëm, pavarësisht nga pasojat që sjell. Të dëgjojmë komentin e atë Federiko Lombardit, drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit:
Mesazhi i Papës për Ditën e ardhshme Botërore të Paqes, 1 janar 2013, titullohet “Lum veprimtarët e paqes”, pikërisht ashtu siç thuhet në lumnitë ungjillore. Ata, që ia besojnë vetveten Zotit dhe premtimeve të Tij, “duken shpesh në sytë e botës si naivë e larg realitetit”, por, pavarësisht nga kjo – thotë Papa Benedikti XVI – marrin pjesë “në përvojën e gëzueshme të një dhurate të jashtëzakonshme”. Mesazhi shkon kundër rrymës për shumë aspekte: pohon se “parakusht për paqen” është “çrrënjosja e diktaturës së relativizmit dhe e moralit krejtësisht autonom, i cili e përjashton njohjen e ligjit moral natyror të shkruar nga Zoti në ndërgjegjen e çdo njeriu”. Pastaj flet për mbrojtjen e jetës, për martesën, për lirinë fetare e për të drejtën e kundërshtimit për hir të ndërgjegjes.
E jo vetëm kaq: në kontekstin aktual të krizës, Papa ngul këmbë në funksionin shoqëror të Shtetit, në të drejtën për punë, në faktin se kriza ushqimore është më e rëndë se ajo financiare, në nevojën e një modeli zhvillimi të bazuar jo mbi fitimin dhe egoizmin, por mbi të mirën e përbashkët, vëllazërimin, vlerën e dhurimit falas. Njerëzit edukohen për paqen me largpamësi, në familje, në shkollë e në bashkësinë fetare e civile; me pedagogji të vërtetë, të kujdesshme ndaj fjalëve, gjesteve, sjelljeve. 50 vjet më parë, Papa Gjoni XXIII botonte enciklikën e famshme “Pacem in terris” e thoshte se shtyllat me të cilat mbahet paqja janë e vërteta, liria, dashuria dhe drejtësia. Sepse paqja është një rend, që merr jetë e integrohet nga dashuria, e cila të bën t’i ndjesh si të tuat nevojat e tjetrit e ta lejosh atë të marrë pjesë në pasurinë tënde.
Ndoshta, e gjithë kjo duket si naive, por e dimë të gjithë se është e drejtë. Le të përpiqemi pra, përsëri për këtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.