2012-12-13 14:19:18

Papa ambasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë: jepuni të rinjve jo vetëm arsim, por edhe formim shpirtëror


Sot, më shumë se kurrë, të rinjtë kanë të drejtë të edukohen me ndjenjën e përgjegjësisë e të impenjimit, prandaj qeveritë duhet t’u sigurojnë arsimin e shembullin për t’u ndjekur. Këto janë fjalët, që u tha sot Papa Benedikti XVI, ambasadorëve të rinj pranë Selisë së Shenjtë. Ata janë përfaqësues diplomatikë të Guinesë, Nigerit, Zambies, Tajlandës, Sri Lankës e të shtetit ishullor të Shën Vinsentit e Granadinës, në Antile:
“E drejta për t’u edukuar me vlerat e duhura nuk duhet harruar, ose mohuar kurrë. Dhe e drejta për t’u edukuar me këto vlera nuk duhet të dobësohet, ose të shlyhet nga asnjë interes politik kombëtar, ose mbikombëtar”.
Në fillimin e audiencës për paraqitjen e letrave kredenciale, Papa përvijoi një situatë tejet të vështirë, sidomos për familjen e për shkollën, që duket sikur nuk janë më terreni, nga i cili të rinjtë marrin limfën e tyre jetësore. Edhe në universitete, vërejti Benedikti XVI, autoriteti i pedagogëve vihet në diskutim – nganjëherë edhe për faj të tyre – e shkollat e larta nuk janë më në gjendje t’i afrojnë e t’i entuziazmojnë të rinjtë. Rezultati është ndjekja në masë e rrugës më të shkurtër, asaj, që duket sikur ta jep suksesin me pak përpjekje, duke lënë kështu mënjanë një formim të vërtetë kulturor, bazë për aftësitë e përvojën profesionale. Duhet ndryshuar ky botëkuptim, theksoi Papa:
“Përmes edukimit të drejtë të zemrës e të mendjes, të rinjtë sot, kanë nevojë më shumë se kurrë t’i japin kuptim impenjimit dhe këmbënguljes para vështirësive. Ata duhet ta dinë se çdo akt i njeriut duhet të jetë i përgjegjshëm dhe koherent me dëshirën e tij për amshim e, se këto veprime shoqërojnë formimin e një njerëzimi gjithnjë e më vëllazëror e më të lirë nga tundimet individualiste e materialiste”.
Por të rinjtë, theksoi me forcë Papa, siç ka bërë gjithmonë, që nga fillimi i papnisë, kanë nevojë për shembuj, për dëshmi nga ana e të rriturve, duke filluar nga përgjegjësit e kombeve, nga krerët e shteteve e të qeverive. Vendimet politike dhe ekonomike, tha Benedikti XVI, nuk duhet të cënojnë trashëgiminë antropologjike e shpirtërore të kombeve, që bazohet në respektin ndaj njeriut dhe jetës së tij:
“U bëj thirrje qeverive të kontribuojnë me guxim në përparimin e njerëzimit, duke favorizuar edukimin e brezave të rinj përmes promovimit të një antropologjie të shëndoshë, bazë e domosdoshme për çdo edukim të vërtetë… Ndërsa qeveritarëve u kërkoj sërish të kenë guxim të punojnë për konsolidimin e autoritetit moral, kuptuar si ftesë për jetë koherente, e nevojshme për edukimin e drejtë të brezave të rinj”.








All the contents on this site are copyrighted ©.