2012-12-12 16:05:48

Çmimi Nobel për paqen i jepet Bashkimit Evropian. Në bazën e të drejtave evropiane, qëndrojnë vlerat e krishtera


Çmimi Nobel për Paqen iu dha këto ditë në Oslo, Bashkimit Evropian, pikërisht për vitet e paqes, që i ka siguruar kontinentit pas Luftës II Botërore. I kërkuam një koment për këtë ngjarje të shënuar, kryetarja e delegacionit të Bashkimit Evropian pranë Selisë së Shenjtë, Lourenc Arxhimon Pistër:
Është ngjarje e madhe. Sot, Evropa mbush 55 vjet. Është një realitet absolutisht unik në botë. Asnjë rajon tjetër gjeografik nuk ka ndërmarrë kurrë një aventurë kaq ambicioze. Është e qartë se integrimi evropian nuk është akoma i përsosur, madje do të duhen dhjetëvjeçarë para se të harmonizohen si duhet politikat tona financiare, ekonomike e shoqërore. Është e trishtuar të mendosh se, për shembull, Evropa është akoma një nga eksportueset kryesore të armëve. Shpresojmë që Nobeli për paqen t’i ndërgjegjësojë ndërmarrjet evropiane e ato të mos ushqejnë më luftrat dhe konfliktet në botë.
Në kohë krizë, me të drejtë, flitet për solidaritet. Është vlerë e parashikuar në tekstet themelore të Bashkimit Evropian, por nuk vihet lehtë në jetë. Si mund të ekuilibrohet nevoja për mbështetje ekonomike nga ana e vendeve si Greqia, me nevojën e respektimit të rregullave, për të cilat flasin vendet e Evropës së Veriut, apo Gjermania?
Në të vërtetë, për herë të parë, jemi të detyruar të njohim rëndësinë e respektimit të rregullave dhe të parimeve, ashtu siç janë përcaktuar në Traktate, por edhe detyrën e kohezionit e të solidaritetit ndërmjet shteteve të Evropës. Është e qartë se me monedhën e përbashkët, normat duhen zbatuar me rigorozitet. Përsa i përket solidaritetit, ai është në bazën e Bashkimit Evropian, i cili lindi parimisht si një institucion, ku vendet më të varfëra duheshin ndihmuar nga të tjerët për të arritur, pak nga pak, në të njëjtin nivel. Kështu është bërë në të kaluarën me Fondet e kohezionit, në rastin e Rumanisë e të Bullgarisë, për shembull. Vlerat e Bashkimit Evropian i kanë themelet në kulturën evropiane, e cila merr jetë nga rrënjët e saj të krishtera. Është tepër e rëndësishme që këto vlera të mbeten, që Bashkimi Evropian të mbrojë solidaritetin, respektin e të drejtave të njeriut, lirinë me të gjitha shprehjet e saj, tolerancën, lirinë fetare. Ne duhet të jemi në gjendje të ndihmojmë edhe vendet, që po ndryshojnë regjim, siç janë ata të “pranverës arabe”, t’i zbatojnë këto parime. Është shumë e rëndësishme, sidomos për pakicat e krishtera. Po e shohim sa rreziqe u kërcënohen atyre nga lufta në Siri, por edhe nga gjendja në Egjipt, në Afrikë e në rajone të tjera. Mund të vendosen sanksione ekonomike, tregtare, ose mund të ndryshojmë bashkëpunimin tonë me shtetet, që nuk respektojnë liritë themelore të njeriut. Shpresoj të mos arrihet deri këtu, por, gjithsesi, mjetet ekzistojnë.







All the contents on this site are copyrighted ©.