2012-12-12 14:49:32

Ngushëllimet e Papës për vdekjen e imzot Madtha, nuncit apostolik në Bregun e Fildishtë.


“Shërbëtor besnik, meshtar i zellshëm e diplomatik i zoti”. Me këto fjalë Papa Benedikti XVI e kujton kryeipeshkvin Ambrose Madtha, Nunc Apostolik në Bregun e Fildishtë, në një telegram ngushëllimi dërguar kryeipeshkvit Salvatore Pennacchio, Nunc Apostolik në Indi – atdheu i prelatit të ndjerë – e të ngarkuarit me punë të Nunciaturës së Abizhanit, don Roberto Campisi.
Kryeipeshkvi imzot Madtha vdiq tragjikisht në një aksidente rrugor, të shtunën më 8 dhjetor, në Solemnitetin e Zojës së Papërlyer. Në mesazhin e tij, Ati i Shenjtë Benedikti XVI shpreh ngushëllimet familjes, e thekson se “feja e gjallë dhe e fortë ka kontribuar padyshim në përkushtimin që kryeipeshkvi Madtha ka treguar përherë gjatë shërbimit të tij për Krishtin e për Selinë Apostolike”. Papa bashkohet në dhimbjen me besimtarëve të dioqezës indiane të Lucknow-it, me personelin e përfaqësisë papnore diplomatike në Bregun e Fildishtë e me korpin diplomatik të akredituar në Shtetin afrikan, ku kryeipeshkvi i ndjerë imzot Madtha ishte dekan. Benedikti XVI kujton me mirënjohje përpjekjet e Nuncit të ndjerë për promovimin e paqes, të bashkimit e të mirës së përbashkët, posaçërisht gjatë viteve të fundit të misionin të tij ipeshkvnor e diplomatik. Së fundi Papa ofron lutjen e tij drejtuar Hyjit për shpirtin e këtij shërbëtori besnik, të cilin ia beson ndërmjetësimit të së Lumes Mari Virgjër.
Imzot Madtha, lindi në Mangalore Belthangady të Indisë, më 2 nëntor 1955, qe shuguruar meshtar më 1982 e qe emëruar Nunc Apostolik në Breg të Fildishtë më 8 maj 2008. Më parë pati shërbyer në misionin diplomatik pranë Nunciaturës në Ghana, El Salvator, Gjeorgji, Shqipëri e Republikën e Kinës.
Ceremonia e varrimit të imzot Madtha kremtohet në Belthangady, fshatin e lindjes së prelatit indian, në dioqezën Mangalore, ku trupi i pajetë pritet të mbërrijë të enjten më 13 dhjetor, në mënyrë që të mund të zhvillohet riti i shenjtë pasditen e së premtes më 14 dhjetor.
Imzot Madtha, lindi në Mangalore Belthangady të Indisë, më 2 nëntor 1955, qe shuguruar meshtar më 1982 e qe emëruar Nunc Apostolik në Breg të Fildishtë më 8 maj 2008. Më parë pati shërbyer në misionin diplomatik pranë Nunciaturës në Ghana, El Salvator, Gjeorgji, Shqipëri e Republikën e Kinës.







All the contents on this site are copyrighted ©.