2012-12-12 15:19:26

Atë Lombardi për ipeshkvin ndihmës të Shangait: s’kemi lajme, por gjendja e klerit është e rëndë


“Selia e Shenjtë, për momentin, nuk ka informacione të ndryshme nga ato të mediave”. Atë Federiko Lombardi, drejtor i Sallës së Shtypit të Vatikanit, iu përgjigj kështu pyetjeve të gazetarëve, të cilët kërkonin lajme për ipeshkvin ndihmës të Shangait, imzot Tadeush Ma Daqin, që nuk lejohet më të kryejë detyrën e tij baritore nga autoritetet kineze.
Që prej kohësh, ai është dënuar edhe me arrest shtëpiak. Ditën e shugurimit ipeshkvnor, më 7 korrikun e kaluar, imzot Ma Daqin dha dorëheqjen nga Shoqata patriotike, siç quhet organizmi i ngritur nga komunistët kinezë për të kontrolluar Kishën Katolike.
Atë Lombardi sqaroi se gjendja e Kishës në Kinë mbetet e rëndë. Disa prej ipeshkvijve dhe meshtarëve burgosen, ose mënjanohen, sapo deklarojnë se heqin dorë nga detyrat partiake, që nuk duhet të jenë kompetenca të një bariu të grigjës së Krishtit. Si pasojë, është rritur kontrolli ndaj personave dhe institucioneve dhe janë shtuar presionet për t’i indoktrinuar.







All the contents on this site are copyrighted ©.