Me 11 dhjetor kalendarin kujton shën Damasin, Papë
Duke shfletuar kalendarin liturgjik, me 11 dhjetor përkujtojmë Shën Damasin, Papë.
Emri grek Damas, me histori shumë të lashtë, sepse e gjejmë që në Iliadën e Homerit,
të kujton edhe katakombet romake, sepse Papa i shekullit VI me këtë emër, Damas, qe
zbuluesi e arkeologu më i njohur i kohës që ruajti, studioi e mbrojti qytetin e të
vdekurve që shtrihet poshtë Romës të të gjallëve. Spanjoll me origjinë, lindur
në Romë në vitin 305, Damasi qe i pari Papë që mori këtë emër, me të cilin mbajti
Tiarën nga viti 366 deri më 384. Pikërisht në kohën e tij, falë lirisë së dhënë nga
Kostandini, të krishterët i braktisën vendet e fshehta të kultit, prej nga i mbartën
edhe reliket e martirëve për t’i vendosur në bazilikën e Kishat e reja që nisën të
ndërtoheshin. Kështu për katakombet u krijua rreziku i braktisjes dhe i shkatërrimit
të plotë. Po Papa Damasi largpamës e ruajti traditën e nderimit të katakombeve, duke
i mbrojtur e shpëtuar nga rreziku i shkatërrimit. Kujtojmë se pikërisht me porosinë
e përkrahjen e tij, shën Jeronimi Iliras, emëruar nga Papa sekretar i posaçëm papnor,
përktheu në latinisht variantin e ri të Shkrimit Shenjt – Biblës, që njihet me emrin
‘Vulgata’. Është përkthim i pashoq, që u bëri ballë shekujve e që edhe sot e kësaj
dite mbetet tekst bazë për të gjithë studiuesit e Biblës. Papa Damasi vdiq në moshë
të shtyrë, 80 vjeç e, pas varrimit të përkohshëm në rrugën Romake Ardeatina, reliket
e tij u bartën në Kishën romake të Shën Lorencin in Damaso.