2012-12-11 14:38:43

Kremtimet liturgjike të Papës gjatë kohës së Krishtlindjes


Një kalendari i ngjeshur me kremtime e pret Papën Benediktin XVI në këtë periudhë të Krishtlindjes, nga Mesha e mesnatës së Lindjes së Krishtit deri në festën e Epifanisë, ditë në të cilën do të kremtojë disa shugurime ipeshkvnore. Po kalendari i kremtimeve të kohës së Krishtlindjes për Atin e Shenjtë do të zgjasë deri në solemnitetin e Pagëzimit të Jezusit, më 13 janar, ditë në të cilën do të kremtojë Pagëzimin e disa fëmijëve në kapelën Siksitina në Vatikan.
Kalendari i kremtimeve liturgjike që do të kryesohen nga Papa Benedikti XVI u bë i njohur nga salla e shtypit vatikanase. Kremtimet papnore do të fillojnë natën e 24 dhjetorit, kur në ora 21.00 në Bazilikën e Shën Pjetrit në Vatikan, Ati i Shenjtë Jozef Ratcinger do të kryesojë Meshën e mesnatës së Krishtlindjes.
Më 25 dhjetor, ditën e Krishtlindjes, sipas traditës, nga Sheshi i Shën Pjetrit në Vatikan Benedikti XVI do t’i drejtojë mesazhin e urimit mbarë botës, e në ora 12.00 do të japë bekimin apostolik “Urbi et Orbi”.
Më 31 dhjetor, në ora 17.00 në bazilikën e Shën Pjetrit do të kryesojë lutjet mbrëmësore e do të lusë uratën e falënderimit drejtuar Hyjit ‘Te Deum’, në përfundim të vitit.
Mesha e 1 janarit, në ora 9.30 në Shën Pjetër në Vatikan, Papa do të kryesojë Meshën solemne në bashkëkremtim me Sekretarin e Shtetit të Vatikanit, kardinalin Bertone, me presidentin e Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, kardinali Peter Kodwo Appiah Trukson, me zëvendës Sekretarin e Shtetit, imzot Giovanni Angelo Becciu, me ministrin e jashtëm, imzot Dominique Mamberti, me sekretarin e Këshillit Papnor për Drejtësi e Paqe, imzot Mario Toso, me presidentin e Akademisë Kishtare Papnore, imzot Beniamino Stella.
Mesha e festës së Dëftimit të Zotit, më 6 janar në ora 9.00 do të kremtohet në bazilikën e Shën Pjetrit, e gjatë këtij kremtimi janë në program shugurimet ipeshkvnore të një grupi prelatësh që do të bëhen nga Papa.
Së fundi, më 13 janar, në Kapelën Sikstina, në 0ra 9.45 Benedikti do të kremtojë Meshës gjatë së cilës, si famullitar i thjeshtë, do të mbarështojë personalisht Sakramentin e Pagëzimit një grupi të fëmijëve.







All the contents on this site are copyrighted ©.