Dorëzohet në Romë Çmimi Evropian për jetën “Nënë Tereza e Kalkutës”
Me rastin e Ditës Botërore të të Drejtave të Njeriut, në Romë, dje iu dorëzua Çmimi
Evropian për jetën, që mban emrin e së Lumes shqiptare “Nënë Tereza”, të gjitha nënave
të Evropës. “Lapsi i vogël në dorën e Zotit”, siç e quante veten misionaria e bamirësisë,
shkroi faqe të paharrueshme në favor të jetës. Në vitin 1979, duke marrë Çmimin Nobel
për Paqen, pati folur për abortin si për “armikun më të madh të paqes”. “Nëse nëna
mund të vrasë birin e vet – pati thënë – kush i pengon njerëzit të vrasin njëri-tjetrin?”.
Gjatë dorëzimit të Çmimit për nënat evropiane, emri i saj u përmend shumë herë, duke
theksuar se nuk mund të flitet për të drejtat e njeriut, nëse nuk mbrohet jeta. Interesante,
paraqitja e të rejave të shkencës për shpëtimin e fëmijëve me probleme në bark të
nënës. Prekëse, dëshmia e Enriko Petrilos, i shoqi i Kiara Korbelës, nënë e re, që
humbi jetën para gjashtë muajsh për shkak të një tumori, që nuk pranoi ta kuronte
gjatë shtatzanisë, për të mos prishur fëmijën. E duhet menduar se ishte fëmija i tretë,
pas dy fëmijësh të tjerë me të meta fizike. Histori, që i bëri shumë përshtypje opinionit
publik. Por të dëgjojmë Enriko Petrilon: Kiara është thjesht nënë: nënë heroike,
por po ta mendojmë mirë, e konsiderojnë heroike më tepër jo besimtarët se sa besimtarët.
Ne, që jemi të krishterë, ose jemi vërtet të tillë e nuk çuditemi, ose biem në mediokritet.
Kiara ishte vërtet e krishterë. Çmimi frymëzohet nga figura e Nënë Terezës.
A ishte e pranishme ajo në jetën tuaj? Sigurisht që po. Ishte e pranishme,
sepse bashkë me Kiarën, çdo Krishtlindje, shkonim t’u jepnim për të ngrënë të varfërve
të Institutit të Nënë Terezës në Palatin. Shpresoj ta vazhdoj impenjimin, edhe pa
të. Një herë, ajo pati fatin ta takonte, një takim, gjatë të cilit nuk ndodhi asgjë
e veçantë, por vetëm pse Nënë Tereza ishte aty, i prekte zemrën. Një çmim -
që paraqet një nënë, e cila shtrëngon në gji birin e vet – iu dha edhe Irene Bertonit,
90 vjeç, e njohur me emrin “Nënë Irena”. 14 vjeç, iku nga shtëpia për të ndihmuar
Don Zenon, themeluesin e Nomadelfias, pastaj, kthimi në familje për t’ia kushtuar
jetën fëmijëve të braktisur: Kam pasur 58 fëmijë, por të gjithë të vegjël! Kanë
nevojë për gjithçka: për përkëdhelje, për puthje, për t’u bërtitur nga pak… kanë nevojë
për çdo gjë! Sepse gruaja është ndryshe: Zoti na ka vënë në zemër diçka të madhe…
Mendoj se askush, sado i mençur të jetë, nuk mund të shpjegojë ç’ka brenda zemrës
së nënës. Nënës së vërtetë. Të veçanta, marrëdhëniet e saj me Papët, që kanë
treguar interes për punën e Nënë Irenës: Papa Piu XII ka qenë njeri i madh.
Gjonit XXIII i çova njërin prej bijve me sëmundje infektive. Palin VI nuk munda ta
njoh personalisht. Gjon Pali II më ka ndihmuar jashtëzakonisht. Benediktin XVI e kam
takuar më 13 janar e më tha: “Ju duhet të jeni roje e kujdesshme e karizmës së themeluesit.
Ju, e keni transmetuar dashurinë tuaj amnore e jo vetëm kaq: e keni rrënjosur në zemrat
e bijve tuaj”. Unë, siqerisht, nëse do të kthehesha në moshën 18 vjeçare, do të bëja
gjithçka nga fillimi, siç e kam bërë!”.