2012-12-10 15:25:43

Festa e Zojës së Loretos. Papa: Maria na mëson se ku është Zoti, aty jemi në shtëpi tonë.


Kisha kremton sot Festën e Zojës së Loretos. Me këtë rast, sot paradite, kryeipeshkvi Giovanni Tonucci kryesoi Meshën pontifikale në Shtëpinë e Shenjtë të Loretos. Pikërisht në shenjtëroren mariane, më 4 tetorin e kaluar, shtegtoi Benedikti XVI për t’ia besuar Virgjërës Mari, Vitin e Fesë. Ecte mbi gjurmët e Gjonit XXIII, që e vizitoi Loreton, 50 vjet më parë, me rastin e hapjes së Koncilit II të Vatikanit. Të ndjekim disa nga fragmentet e homelisë, mbajtur nga Papa në Loreto.
Kur shtegton në Loreto, nuk mund të mos prekesh thellë nga historia e nga pamja madhështore e shenjtërores. Zemra e kësaj oaze mariane është një shtëpi, sipas traditës, vetë shtëpia ku jetoi Virgjëra Mari. Pikërisht në këtë shtëpi, ku ndjehet fort fryma e jetës e të gjitha kohëve, Benedikti XVI shqiptoi fjalë të thella, që i hapin syrit horizonte përtej gurëve të një ndërtese:
“Ku banon Zoti, duhet ta pranojmë se jemi të gjithë në shtëpi tonë; ku banon Krishti, vëllezërit e motrat e Tij nuk janë më të huaj. Maria, Nëna e Krishtit, e edhe Nëna jonë, na hap portën e shtëpisë së saj, na prin për të hyrë në vullnetin e Birit të saj”.
Ja, ky është mësimi më i çmuar, që mund të nxëmë në Loreto: “Feja na bën të banojmë, të rrijmë në këtë shtëpi, por edhe të ecim në udhët e jetës. Por shtëpia e Loretos, vëren akoma Papa, na jep edhe një mësim tjetër: kjo shtëpi qe e vendosur në një rrugë. Mesazh i rëndësishëm, ky:
“Nuk është shtëpi private, nuk i përket një njeriu a një familjeje, por është banesë e hapur për të gjithë, në rrugën ku kalojmë të gjithë ne. Atëherë mund të themi se këtu, në Loreto, gjejmë një shtëpi, që na bën të rrijmë, të banojmë, e njëkohësisht, të ecim; na kujton se jemi të gjithë shtegtarë, për udhë drejt një banese tjetër, drejt shtëpisë së fundme, drejt Qytetit të amshuar, banesës së Hyjit me njerëzimin e shpërblyer”.
Por nuk duhet harruar kurrë se për ta hapur portën e kësaj shtëpie, për t’i hapur portat e Zotit, duhet t’i themi ‘po’, lirisht, ashtu si bëri Maria. Zoti, pohoi Papa, kërkon pranimin e lirë të Marisë, për t’u bërë njeri:“Sigurisht ‘po’-ja e Marisë është fryt i hirit hyjnor. Por hiri nuk e zhduk lirinë, përkundrazi, e krijon dhe e mbështet. Feja nuk i heq asgjë krijesës njerëzore, përkundrazi, i siguron kushtet për realizimin e plotë e përfundimtar”.







All the contents on this site are copyrighted ©.