2012-12-10 13:50:18

Benedikti XVI në Engjëllin e Tënzot: Krishtlindja nuk është festë e jashtme. Presim Fjalën që shpëton!


Krishtlindja nuk është festa e sendeve: këtë u kujtoi Papa besimtarëve në lutjen e djeshme të Engjëllit të Tënzot, në sa përgatitemi për të pritur Ardhjen e Jezusit. Në Kohën e Ardhjes, mendimi i Papës shkoi tek të gjithë emigrantët, tepër shpesh të pakuptuar, në sa vuajnë larg vatrave të tyre.Benedikti XVI u ndalua posaçërisht tek figura e Gjon Pagëzuesit, në qendër të Ungjillit të djeshëm të Shën Lukës, që tregon jetën e tij e, prej këndej, na jep një kuadër historik të ngjarjes vërtet të madhe të lindjes së Krishtit, për të cilën bashkëkohësit nuk kujtohen fare:
Për Hyjin, të mëdhenjtë e historisë janë korniza e të vegjëlve”.
Gjon Pagëzuesi, shpjegoi më pas Benedikti XVI, quhet “zë i njërit që bërtet në shkretëtirë”. Shpall Fjalën e Zotit, e cila paraprin:
“Gjoni është zë që kalon, Krishti është Fjala e amshuar, e cila ishte qysh në zanafillë. Në se ia heq zërit fjalën, ç’mbetet prej tij? Një tingull i mugët”.
Zëri, pa fjalë, godet veshin, por nuk ndërton zemrën:
Na takon ne detyra ta dëgjojmë sot këtë zë, për t’i hapur vend në zemër Jezusit, Fjalës shëlbuese”.
Atëherë, në këtë Kohë të Ardhjes, është ftesa e Benediktit XVI, të përgatitemi për ta parë me sytë e fesë, në Shpellën e përvuajtur të Betlehemit, shpëtimin e ardhur nga Zoti:
“Në shoqërinë e konsumit, e cila përpiqet ta gjejë gëzimin ndër sende, Gjon Pagëzuesi na mëson të jetojmë themeloren, që Krishtilindja të mos kremtohet vetëm për shkëlqimin e jashtëm, por, kryesisht, si festë e Birit të Zotit, i cili erdhi për t’u sjellë njerëzve paqen, jetën e gëzimin e vërtetë”.
Më pas, lutja drejtuar Marisë, Virgjërës së Kohës së Ardhjes, së cilës, tha Papa…:
… ia besojmë shtegtimin tonë kah Zoti që vjen, të gatshëm për ta pritur, në zemër e në të gjithë jetën, Emanuelin, Zotin-me-ne”.
Ndërmjet njerëzve për udhë, shpesh ngarkuar me vuajtje e keqkuptime, janë emigrantët e mbarë botës, të cilët braktisin shtëpitë e tyre për shkak të luftës e të varfërisë. Ata i kujtoi Benedikti XVI pas lutjes mariane, gjatë përshëndetjeve të fundit drejtuar shtegtarëve të gjuhës frënge:
“Puissent-ils être accueillis et avoir une existence digne!...
Uroj të mikpriten e të kenë një jetë të denjë e, sidomos, në këtë kohë të përgatitjes për Krishtlindje, ta ndjejnë forcën e solidaritetit vëllazëror e të ndihmës së gëzueshme për përmbushjen e nevojave dhe realizimin e shpresave të tyre”.







All the contents on this site are copyrighted ©.