2012-12-09 09:05:46

Shenjtorët e Javës


E diel 9 dhjetor, Kisha katolike kremton të Dielën e 2-të të kohës së Ardhjes, e po sot më 9 dhjetor nga kalendari kujtohen edhe shën Huan Diego, shën Siri e shën Valeri, të cilët me jetën e tyre na kujtojnë se vërtetë i lum është vetëm ai njeri që e pret Zotin!
Të hënën më 10 dhjetor bie festa e Zojës së Loretos, kujtimi i shën Maurit martir dhe shën Gregorit II, papë. Gjithçka ne admirojmë në Shën Marinë Virgjër është fryt i fesë së saj dhe i veprës së Shpirtit Shenjtë Zot, që përmes pranimin e adezionit të plotë të Marisë në veprën hyjnore të shpëtimit, ka sjell fryte shëlbimi për mbarë gjininë njerëzore.
Të martën më 11 dhjetor, kalendari kishtar përkujton shën Damazin I, Papë. Liturgjia na kujton se Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.
Të mërkurën më 12 dhjetor, kalendari kishtar përkujton festën e së Lumes Mari Virgjër të Guadalupes dhe shën Gjovanën de Shantal. Liturgjia e ditës na kujton se Zoti na fton të kthehemi në rrugë të drejtë, për të gjetur ngushëllim. E kur e kuptojmë se nuk jemi të aftë ta përballojmë jetën pa ndihmën e Zotit, ai na jep forcë e krahë shqiponjash, për të fluturuar drejt lartësive.
Të enjten më 13 dhjetor, bie festa e shën Luçisë së Sirakuzës, virgjër e martire (shqip Drita) dhe e shën Aristonit, martir i Portos. Liturgjia në përkujtim të shën Luçisë na kujton se nuk duhet të ligështohemi kurrë nga mundimet e përditshme, por duhet ta lëshojmë gjithnjë veten në dorë të Jezusit zemërbutë e të përvujtë, të sigurt se një ditë do ta kundrojmë me sytë tanë lumninë e tij.
Të premten më 14 dhjetor, bie kujtimi i shën Gjonit të Kryqit, meshtar e doktor i Kishës, karmelitan i zbathur. Në rrjedhë shekujsh Zoti i është dëftuar njerëzve shumë herë e në shumë mënyra, por ata e patën të vështirë ta pranojnë. Shën Gjon Pagëzuesi nuk i bindte, sepse tepër i ashpër, ndërsa Jezusi, pse tepër i butë.
Të shtunën më 15 dhjetor kalendari përkujton shën Valerianin, ipeshkëv në Afrikë e martir, i cili na nxit të meditojmë mbi rëndësinë e mesazhit të shën Gjon Pagëzuesit, krahasuar nga Krishti me Elinë. E kjo, sepse shën Gjoni na fton të pendohemi e të kthehemi plotësisht në rrugën e Zotit.
Të dielën e ardhshme më 16 dhjetor, Kisha katolike do të kremtojë të Dielën e 3-të kohës së Ardhjes, kohë liturgjike që paraprin e përgatit festën e Mishërimit të Zotit, Krishtlindjen. Po më 16 dhjetor kalendari përkujton shën Davidin mbret e profet dhe shën Adelajdën perandoreshë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se mbarë kufijtë e tokës do të shohin shëlbimin që vjen nga Zoti.







All the contents on this site are copyrighted ©.