2012-12-08 18:47:33

Papa në festën e Zojës së Papërlyer në Romë: Hyji flet në heshtje dhe e na çliron nga mëkati.


Sot, më 8 dhjetor, në solemnitetin e të Zënit të Pafaj të Virgjërës Mari, në mesditë Papa Benedikti XVI kremtoi lutjen e Engjëllit të Tënzot në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan.
Pasdite, në orën 16. 00, sipas traditës, Benedikti XVI shkoi në Sheshin e Spanjës, në zemër të Romës, për të vendosur një shportë me lule të bardha dhe për t'u lutur në këmbët e shtatores së Virgjërës Mari, ngritur që më 1857, vendosur mbi një shtyllë 30 metra të lartë, që na kujton dogmën e Zojës së Papërlyerës, shpallur nga Papa Piu IX më 1854.
Shtegtimi tradicional i romakëve në Sheshin e Spanjës filloi që herët në mëngjes. Në orën 7.30 zjarrfikësit vendosën në krah të Virgjërës Mari kurorën e parë me lulet e bardha të festës. Sipas traditës, qenë pikërisht zjarrfikësit e Shtetit Papnor ata që e vendosën shtatoren e Nënës së Papërlyer të Krishtit mbi shtyllën, e cila stolis një nga sheshet më në zë të Qytetit të Amshuar.
Vizitën e parë te këmbët e kësaj shtatoreje e bëri Papa Piu XII më 1957.
Ndërsa sot, te këmbët e Shtatores së Zojës të zënë pa mëkat, u gjunjëzua përsëri Benedikti XVI. Është një gjest feje e devocioni, të cilin bashkësia e krishterë romake e përsërit nga viti në vit, gati si të donte t’i ripohonte besnikërinë Asaj që na siguron ndihmën dhe mbrojtjen amtare në të gjitha rrethanat e jetës së përditshme.
Zoti flet në heshtje; hiri i tij e çliron njeriun nga mëkati e nga çdo lloj egoizmi, duke e bërë të shijojë gëzimin e vërtetë. Kështu u shpreh Benedikti XVI sot pasdite, në sa gjunjëzohej tek këmbët e Zojës së Papërlyer, në Sheshin e Spanjës. Zëri i Zotit, tha Papa, nuk dëgjohet në mes të zhurmës, e as duke ndenjur në sipërfaqe. Duhet zbritur thellë, atje ku forcat që veprojnë, nuk janë ekonomike e as politike, por morale e shpirtërore. Atje na fton të zbresim, Maria, për të përkuar me veprimin e Zotit.
“Ajo që është me të vërtetë e madhe, kalon shpesh e pavërejtur e heshtja e plotë bëhet më frytdhënëse se sticimi, që karakterizon qytetet tona. Është një nga reflektimet e Papës lidhur me Ungjillin e solemnitetit të Zojës së Papërlyer, në një mbasdite të ftohtë, por me diell, tek këmbët e shtatores së Zojës, në Sheshin e Spanjës. Benedikti XVI vijoi të reflektojë mbi heshtjen e thellë të çastit, kur Zoti u bë njeri, mbi takimin e lajmëtarit hyjnor e Marisë: një takim për të cilin asokohe nuk foli askush:
“Është ngjarje që, po të ndodhte në kohët tona, nuk do të linte asnjë gjurmë në gazeta e në revista, sepse është mister, që ndodh në heshtje”.
Zëri i Zotit, shpjegoi Ati i Shenjtë, nuk njihet mes zhurmave shurdhuese e sticimesh, që e rrethojnë gjithnjë më shpesh jetën tonë:
“Ky aktivizëm na bën të paaftë për t’u ndalur, për të ndenjur të qetë, për t’u zhytur në heshtjen, në të cilën Zoti na bën ta dëgjojmë zërin e tij të urtë”.
Atë ditë, kur mori lajmin e Engjëllit, Maria ishte krejt e thelluar në lutje e, njëkohësisht, e gatshme për të dëgjuar zërin e Zotit. Në të, nënvizoi Papa, nuk ka pengesë, nuk ka perde, nuk ka asgjë, që mund ta ndajë nga Zoti. E ky është edhe kuptimi i zënies së saj pa mëkat origjinal. Lidhja e saj me Zotin është e lirë:
“Në të nuk ka ndarje, nuk ka as hije egoizmi, por vetëm përkim të përkryer: zemra e saj e vogël njerëzore është plotësisht në qendër të zemrës së madhe të Zotit”.
Zëri i Zotit, plani i tij për jetën tonë personale e shoqërore nuk mund të perceptohet duke ndenjur në sipërfaqe, por duke zbritur thellë e më thellë, atje ku forcat, që veprojnë, nuk janë ato ekonomike e as politike, por ato morale e shpirtërore . Atje na fton të zbresim, Maria, për të përkuar me veprimin e Zotit.
Solemniteti i Zojës së Papërlyer na kujton edhe se shëlbimi i botës nuk është vepër e njeriut – e shkencës, e teknikës, e idelogjisë – por vepër e Hirit Hyjnor. Po cili është kuptimi i kësaj fjale? Hir do të thotë Dashuri në pastri e në bukuri. Maria quhet ‘Hirplote” (Lk 1,28), e me këtë identitet na kujton përparësinë e Zotit në jetën tonë e në historinë e botës, na kujton se pushteti e dashuria e Zotit është më e fortë se e keqja:
“Maria na kujton se sado poshtë të ketë rënë njeriu, nuk është kurrë tepër poshtë për Zotin, i cili zbriti deri në skëterrë; sado të ketë dredhuar zemra, Zoti është gjithnjë më i madh se zemra jonë (Gjn.3,20). Fryma e ngrohtë e hirit mund t’i shpërndajë edhe retë më të zeza, mund ta bëjë jetën të bukur, të pasur, kuptimplote, edhe në situatat më çnjerëzore”.
Në të vërtetë, krishtërimi është fitorja e hirit mbi mëkatin, e jetës mbi vdekjen. E në se ka edhe flijime, disiplinë të mendjes, të zemrës e të sjelljeve, kjo vjen nga që në zemër të njeriut është rrënja helmatisëse e egoizmit, burim i së keqes për vetveten e për të tjerët:
“Prandaj duhet të mësohemi për t’i thënë ‘jo’ zërit të egoizmit e ‘po’ zërit të dashurisë së vërtetë. Gëzimi i Marisë është i plotë, sepse në zemrën e saj nuk ka as hijen e mëkatit”.
Posaçërisht e ngrohtë, pritja e Papës Benediktit XVI nga besimtarët, që e kishin mbushur përplot Sheshin e Shën Pjetrit. Të pranishëm, Kryetari i Bashkisë, Alemano, kardinali mëkëmbës, Valini e autoritete të tjera.







All the contents on this site are copyrighted ©.