2012-12-08 18:48:30

Fjala e Benediktit XVI tek këmbët e Zojës së Papërlyer në Romë


Fjala e Papës Jozef Ratcinger në solemnitetit e Zojës së Papërlyer më 8 dhjetor 2012 në Sheshin Spanja të Romës tek këmbët e shtatorës së Vigjërës Mari.
"Është gjithnjë gëzim i veçantë të mblidhesh këtu, në Sheshin e Spanjës për festën e Zojës së Papërlyer. Takimi së bashku – romakë, shtegtarë e vizitorë – te këmbët e shtatores së Nënës sonë shpirtërore, na bën të ndjehemi të bashkuar, nën shenjën e fesë. Më pëlqen ta nënvizoj në këtë Vit të Fesë, që po e jeton Kisha mbarë. Ju përshëndes me përzemërsi të madhe e dëshiroj të shkëmbej me ju disa mendime të thjeshta, që burojnë nga Ungjilli i këtij solemniteti: Ungjilli i Lajmërimit të Zojës.
Na prek gjithnjë, e sidomos, na bën të reflektojmë, fakti se ky çast vendimtar për fatet e njerëzimit, çasti në të cilin Zoti u bë njeri, zhytet në heshtje të plotë. Askush nuk kujtohet për takimin e Lajmëtarit hyjnor me Virgjërën e Papërlyer, askush nuk di gjë, askush nuk flet asnjë fjalë për të. Është ngjarje që, po të ndodhte në kohët tona, nuk do të linte asnjë gjurmë në gazeta e në revista, sepse është mister, që ndodh në heshtje. Ajo që është me të vërtetë e madhe, kalon shpesh e pavërejtur e heshtja e plotë bëhet më frytdhënëse se sticimi, që karakterizon qytetet tona, por që - me përmasat e kohës - jetohej edhe atëhere në qytetet e rëndësishme. Ky aktivizëm, që na bën të paaftë për t’u ndalur, për të ndenjur të qetë, për t’u zhytur në heshtjen, në të cilën Zoti na bën ta dëgjojmë zërin e tij të urtë. Maria atë ditë kur mori lajmin e Engjëllit, ishte krejt e thelluar në lutje e, njëkohësisht, e gatshme për të dëgjuar zërin e Zotit. Në të nuk ka pengesë, nuk ka perde, nuk ka asgjë, që mund ta ndajë nga Zoti. E ky është edhe kuptimi i zënies së saj pa mëkat origjinal: lidhja e saj me Zotin është e lirë; në të nuk ka asnjë cenim, nuk ka ndarje, nuk ka as hije egoizmi, por vetëm përkim të përkryer: zemra e saj e vogël njerëzore është plotësisht në qendër të zemrës së madhe të Zotit. Ja, pra, të dashur vëllezër, ardhja këtu, pranë monumentit të Marisë, në qendër të Romës, na kujton, para së gjithash, se zëri i Zotit nuk njihet mes zhurmave shurdhuese e sticimesh: plani i tij për jetën tonë personale e shoqërore nuk mund të perceptohet duke ndenjur në sipërfaqe, por duke zbritur thellë e më thellë, atje ku forcat, që veprojnë, nuk janë ato ekonomike e as politike, por ato morale e shpirtërore . Atje na fton të zbresim, Maria, për të përkuar me veprimin e Zotit.
Kur vijmë këtu, Zoja e Papërlyer na thotë edhe një gjë tjetër, më të rëndësishme: na kujton se shëlbimi i botës nuk është vepër e njeriut – e shkencës, e teknikës, e idelogjisë – por vepër e Hirit. Por, ç’kuptim ka kjo fjalë? Hir do të thotë Dashuri në pastri e në bukuri: e kështu është vetë Zoti, siç na u zbulua në historinë shëlbuese, rrëfyer në Bibël e përmbushur plotësisht në Jezu Krishtin. Maria quhet ‘Hirplote” (Lk 1,28), e me këtë identitet na kujton përparësinë e Zotit në jetën tonë e në historinë e botës, na kujton se pushteti e dashuria e Zotit është më e fortë se e keqja, se mund t’i mbushë gollet, që hap egoizmi në historinë e njerëzve. Këto golle mund të kthehen në skëterra, atje ku jeta njerëzore, duke rënë poshtë e më poshtë, shkon drejt hiçit, humbet kuptimin e dritën. Ilaçet e rreme, që propozon bota për t’i mbushur këto golle – mjafton të kujtojmë drogën - në të vërtetë e bëjnë edhe më të ndjeshme zbrazësinë. Vetëm dashuria mund ta shpëtojë njeriun nga kjo rrokullisje, por jo një dashuri dosido; mund ta shpëtojë vetëm dashuria, që ka në vetvete pastrinë e Hirit – të Zotit, që shndërron e përtërin – e që kështu mund t’i mbushë mushkëritë e helmatisura me oksigjen të ri, me ajër të dlirë, me energji të re jete. Maria na kujton se sado poshtë të ketë rënë njeriu, nuk është kurrë tepër poshtë për Zotin, i cili zbriti deri në skëterrë; sado të ketë dredhuar zemra, Zoti është gjithnjë më i madh se zemra jonë” (Gjn.3,20). Fryma e ngrohtë e hirit mund t’i shpërndajë edhe retë më të zeza, mund ta bëjë jetën të bukur, të pasur, kuptimplote, edhe në situatat më çnjerëzore.
E prej këtu buron gjëja e tretë, që na kujton Zoja e Papërlyer: na flet për gëzim, për atë gëzim të vërtetë, që pushton zemrën e çliruar nga mëkati. Mëkati sjell me vete trishtim të rëndë, që të shtyn të mbyllesh në vetvete. Hiri sjell gëzim të vërtetë, që nuk varet nga pasja e sendeve, por lëshon në thellësi të shpirtit, në thellësi të njeriut, rrënjë, që askush nuk mund t’i shkulë.
Krishtërimi është thelbësisht ‘ungjill’, lajm i gëzuar, ndërsa ndokush mendon se është pengesë për gëzimin, sepse shikon në të një mori ndalimesh e rregullash. Në të vërtetë, krishtërimi është fitorja e hirit mbi mëkatin, e jetës mbi vdekjen. E në se ka edhe flijime, disiplinë të mendjes, të zemrës e të sjelljeve, kjo vjen nga që në zemër të njeriut është rrënja helmatisëse e egoizmit, burim i së keqes për vetveten e për të tjerët. Prandaj duhet të mësohemi për t’i thënë ‘jo’ zërit të egoizmit e ‘po’ zërit të dashurisë së vërtetë. Gëzimi i Marisë është i plotë, sepse në zemrën e saj nuk ka as hijen e mëkatit. Ky gëzim përkon me praninë e Jezusit në jetën e saj; ajo ndjeu si Jezusi u zu në kraharorin e saj, e mbajti në prehër, pastaj, e pa fëmijë, besuar kujdesit të saj; adoleshent, të ri, burrë të pjekur; e përcolli, kur nisej nga shtëpia; e ndoqi nga larg, me fe të gjallë, deri në Kryq e në Ngjallje: Jezusi është gëzimi i Marisë e gëzimi i Kishës.
Uroj që në këtë Kohë të Ardhjes, Zoja e Papërlyer të na mësojë ta dëgjojmë zërin e Zotit, që flet në heshtje; ta pranojmë hirin e tij, që të çliron nga mëkati e nga çdo lloj egoizmi, për të shijuar, kështu, gëzimin e vërtetë . O Mari, hirplote, lutu për ne"!







All the contents on this site are copyrighted ©.