2012-12-07 12:13:30

“Meshari” i Buzukut kthehet në Vatikan


Në orët e para të ditës së djeshme, më 6 dhjetor 2012, "Meshari" i dom Gjon Buzukut është larguar nga Biblioteka Kombëtare e Tiranës ku u ekspozuar për më pak se një muaj, për t’u kthyer në Bibliotekën Apostolike në Vatikan.
“Meshari” i prifti shqiptar dom Gjon Buzukut, siç dihet, është libri i parë shqip i botuar në vitin 1555, e në kuadrin e kremtimeve të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë nga pushtimi turk, për herë të parë Vatikani e solli në Atdheun e tij për publikun shqiptar.
Gjatë ditëve të ekspozimit të “Mesharit” të Buzukut në Tiranë, interesi i publikut ka qenë shumë i madh dhe numri i vizitorëve ka qenë 350-400 vizitorë në ditë. Dyndje ka pasur jo vetëm nga studiuesit, të interesuar për të parë nga afër librin, por edhe nga brezit i ri.
Dimë se më datën 5 janar 1555 prifti katolik shqiptar dom Gjon Buzuku e përfundoi së shkruari 'Mesharin' e tij, që deri më sot njihet si vepra e parë e llojit dhe njëkohësisht si i pari monument letrar i botuar në gjuhën shqipe. Vetë autori, don Gjon Buzuku shkruan në parathënien e Mesharit se e mbaroi “së shkruami” veprën më 5 janar 1555.
Siç pohuam, deri më sot nuk njihet një tjetër libër më i vjetër, i shtypur, në gjuhën shqipe, veç kësaj vepre, shkruar e botuar në rrethana që ende sot janë mjaft të diskutueshme. Sidoqoftë vepra e Mesharit mbetet monument i përpjekjes së klerit të krishterë shqiptar për ta shpëtuar popullin nga rreziku i tjetërsimit e humbjes së identitetit kombëtar e shpirtëror, për ta mbajtur të lidhur fort me dritën e Shëlbimit të Krishtit dhe me dritën e qytetërimit perëndimor.
Meshari i Buzukut, siç thekson vetë autori, u botua sepse “gjuha jonë nukë kish gjaa të endigluem en sëh shkruomit shenjtë” - nuk kishte, pra asnjë përkthim të Shkrimit Shenjt, por kryesisht “en sëh dashunit së botës sënë” - nga dashuria për popullin e vet. Kështu, dom Gjon Buzuku na jep të dhëna për kohën e tij se në gjuhën shqipe, pra në gjuhën e popullit, ndjehej mungesa e shkrimeve, të librave e të shkrimeve nga Bibla, nga Meshari Romak e vepra mbi fenë e krishterë, për ta njohur dhe edukuar popullin në fenë e vet të krishterë, si dhe për të kultivuar e përforcuar identitetin kombëtar.
Prandaj, i nxitur nga nevoja e madhe baritore dhe i frymëzuar nga llojet e librave liturgjike të kohës që qarkullonin në kohën e tij, dom Gjon Buzuku bën një përgatitje dhe përpilon një libër me pjesë të ndryshme të liturgjisë e të biblës, që shërbenin në rend të parë për priftërinjtë për kremtimin e Meshës e të Sakramenteve tjera apo për lutjet e tyre të përditshme. Siç dihet, mjerisht, kësaj vepre, Mesharit, i mungojnë disa faqe: atë të fillimit e disa tjer aty këty brenda vetë librit.
Meshari i Buzukut është kryesisht përkthim por ka edhe pjesë autentike të shkruara personalisht nga dom Gjon Buzuku si dhe nga priftërinjtë tjerë shqiptarë si dom Gjergji, dom Marku, dom Pjetri e tjerë, siç dëshmohet brenda disa faqeve të kësaj vepre.
Meshari i Buzuku është libër liturgjik të cilin mund ta krahasojmë e këndej quajmë COMES, apo Epistolar, Leksionar siç i quanin liturgjistët e mesjetës librat që përmbanin pjesë të Biblës e lutje të ndryshme për t’u lexuar në kremtime të Meshës gjatë vitit liturgjik kishtar, gjatë kremtimit të Sakramenteve e tjera momente fetare, çka përmban edhe Meshari i Buzukut.
Në të vërtet në këtë vepër COMES kemi: Oficen e Zojës, Shtatë Psalmet pendestare, Litanitë e Shenjtorëve, disa pjesë të Ritualit (mbi Sakramentin e Martesës), Urdhërimet e Zotit dhe pjesë tjera të katekizmit e Meshët, për tërë vitin e liturgjisë kishtare, ndër festa të luajtshme e të paluajtshme. Kemi pra fjali dhe tekste të vetësajuara me një vlerë të madhe demo-etno- antropologjike, dhe, mbi të gjitha sekuenca po thuaj se e plotë e pjesëve të Letrave dhe Ungjijve të Meshëve të të dielave dhe të festave të vitit liturgjik të ritit katoliko-romak, me vëmendje të veçantë ndaj Meshëve kushtuar shenjtorëve të urdhrit françeskan dhe të atyre më popullorë në botën shqiptare.
Vështirë të përmbledhësh në pak rreshta vlerën e një libri me histori e vlerë të veçantë, prej të cilit ka mbetur vetëm një kopje, që ruhet në bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Studiues të shumtë i kanë kushtuar gjurmimet e studimet e tyre si Atë Justin Rrota, M. Roques, G. Schiro, G. Petrotta, N. Jokli , , E. Çabej, I. Zamputi, C. Tagliavini, N. Resuli, M. Camaj ,E. Sedaj, V. Putaneci, T. Lladani e tjerë.
Po nënvizojmë edhe faktin se vepra e ‘Mesharit’ të Buzukut është zbuluar për herë të parë më 1740 në Kongregatën e Propagandës së Fesë në Vatikan nga një tjetër prift katolikë shqiptar, dom Gjon Kazazi, i biri i Nikollë Kazazit nga Gjakova. E sivjet, në kuadrin e kremtimit të 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë, në nëntorin e ardhshëm, ‘Meshari’ i Buzukut do të shkojë për herë të parë nga Vatikani në Vendlindje, e pikërisht në Tiranë ku do të ekspozohet për dy-tri javë për publikun shqiptar.







All the contents on this site are copyrighted ©.