2012-12-07 12:15:28

Solemniteti i Zojës së Papërlyer, festa e të gjithëve.


Në natën e festës së Zojës së Bekuar të Papërlyer, propozojmë këtë reflektim, për t’u njohur me historikun e festës e sidomos me mesazhin që na vjen nga shembulli e mësimet e Virgjërës Mari.Më 8 dhjetor 1854 Papa Piu IX, me fjalë thellësisht solemne, shpalli dogmën e të Zënit pa faj të Zojës së Bekuar. Sovrani i fundmë i Shtetit Papnor, papnia e të cilit mbetet më e gjata në historinë e Kishës katolike, pas asaj të Shën Pjetrit (31 vjet, 7 muaj e 23 ditë), në kushtetutën apostolike “Ineffabilis Deus”, vërtetoi: “Me autoritetin e Zotit tonë Jezu Krishtit, të Apostujve të Shenjtë Pjetër e Pal e edhe autoritetin Tonë, deklarojmë, pohojmë dhe e quajmë të zbuluar nga Hyji doktrinën, që mbështet se e lumnueshmja Virgjëra Mari, përmes hirit të posaçëm e privilegjit të Zotit të gjithëpushtetshëm, duke paraparë meritat e Jezu Krishtit, Shëlbues i gjinisë njerëzore, u ruajt e paprekur nga çdo njollë mëkati origjinal, që nga momenti i parë i zënies së saj”.
Që nga ky çast, sipas normave juridike të së Drejtës Kanonike, dogma e Zojës së Papërlyer u bë e vërtetë feje, e qartë dhe e pandryshueshme për të gjithë besimtarët.
Katër vjet më pas, një përkim i posaçëm nënvizoi rëndësinë e kësaj shpalljeje dogmatike. Më 25 mars të vitit 1958, gjatë dukjes së XVI në Shpellën e Masabielës, “Zonja e bukur”, i dëftoi Bernardetës emrin e saj: “Que soy era Immaculada Councepciou”(Unë jam e Zëna pa mëkat).
Kohë para përkufizimit dogmatik, në Sicili kishte nisur të kremtohej “Zënia e shenjtë” e Virgjërës Mari. Kështu mund të themi se sicilianët kanë lidhje të veçantë me dogmën e Zojës së Papërlyer, gjë që e nënvizoi zyrtarisht Gjon Pali II i cili, në Letrën me rastin e 150-vjetorit të shpalljes së dogmës të Zojës së Papërlyer, i shkroi kështu Kishës në Sicili: “Ky devocion nis që nga kohët e sundimit bizantin, ndërmjet shekujve VI-IX. Nëna e Krishtit ishte posaçërisht e nderuar me titullin Panaghia, Gjithëshenjte. Prej Saj nisi të kremtohet liturgjikisht “Zënia e shenjtë”, kult që vijoi dhe u zhvillua në Ishull pa asnjë ndërprerje.
Në shekullin XV, pas predikimeve të Fretërve Françeskanë, festa u bë një nga më të kremtuarat, u shtua numri i kishave e i kapelave kushtuar Zojës së Papërlyer e u përhap masivisht ikonografia përkatëse. Zonja e zënë pa mëkat u bë Pajtorja kryesore e mbarë Sicilisë, me impenjimin që besimtarët ta shpallnin e ta mbronin këtë të vërtetë deri në vdekje, kusht që mbetet në fuqi edhe sot, duke u bërë ballë ndryshimeve të kohës e të regjimeve” (Nga Vatikani, 18 tetor 2004).
Me dogmën e Zënies pa Faj të Zojës së Bekuar Kisha i njeh Marisë privilegjin e madh, që i bëri Zoti, duke e ruajtur që më parë nga mëkati e duke e shpërblyer, që nga zënia e saj.
Ky solemnitet liturgjik, që përgatitemi ta kremtojmë nesër, u kujton të gjithëve fjalët e shqiptuara nga Papa Benedikti XVI më 8 dhjetor 2010: “Syri i Marisë është syri i Zotit mbi secilin nga ne. Ajo na shikon me dashurinë e vetë Atit e na bekon. Edhe në se të gjithë do të flisnin keq për ne, Ajo, Nëna, do të fliste mirë, sepse zemra e saj e papërlyer përkon plotësisht me mëshirën e Zotit. Me këtë sy e shikon Ajo qytetin, jo si grumbull banesash pa emër, po si konstelacion, në të cilin Zoti i njeh të gjithë personalisht me emër, një nga një, e i fton të shkëlqejnë nga drita e tij. E ata që për sytë e botës janë të parët, për Zotin janë të fundmit; ata që janë të vegjël, për Zotin janë të mëdhenj. Nëna na shikon ne, ashtu si e pa Zoti atë, Vashën e përvuajtur të Nazaretit, krejt pa vlerë për sytë e botës, por e zgjedhur dhe e çmuar për Hyjin.
Zonja shikon, kështu, në secilin nga ne, një fytyrë, që ngjet me fytyrën e Birit të saj, Jezusit, edhe pse ne ndryshojmë kaq shumë nga njëri- tjetri. E Papërlyera na njeh, na do, na mbron e ndërmjetëson për ne të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.