2012-12-07 14:32:56

Papa Komisionit teologjik: nuk është besimi në Zotin, por relativizmi, ai që lind dhunën


“Duke i shërbyer besnikërisht të vërtetës së fesë, teologët mund të marrin pjesë në hovin ungjillëzues të Kishës”: ky është një nga fragmentet kryesore të fjalimit, që Benedikti XVI u drejtoi anëtarëve të Komisionit teologjik ndërkombëtar, të cilët i priti në Vatikan me rastin e sesionit të tyre plenar. Papa u ndalua posaçërisht mbi temën e sensum fidei, apo mbi pjesëmarrjen e vetëdijshme të besimtarit në jetën e bashkësisë kishtare që, theksoi Ati i Shenjtë, nuk mund të jetë në kundërshtim me magjisterin e Kishës.
Më pas ripohoi se dhuna nuk mund të përligjet kurrë në emër të Zotit.
Nga ana e të pranishmëve, Papën e përshëndeti imzot Gerhard Ludwig Müller, prefekt i Kongregatës për Doktrinën e Fesë dhe kryetar i ri i Komisionit Teologjik.

Cili është kodi gjenetik i teologjisë katolike? Papa i dha përgjigje kësaj pyetjeje me të gjithë fjalimin e tij, gjatë të cilit theksoi posaçërisht se teologjia nuk duhet ngatërruar me shkencat fetare e se ajo është njëkohësisht konfesionale e racionale. Më pas vuri theksin tek vëmendja, që duhet t’i kushtojnë teologët asaj ndjesie, që latinisht njihet me termin sensus fidei e që e bën të krishterin të marrë pjesë plotësisht në jetën e bashkësisë të besimtarëve. Ka shumë rëndësi, vijoi Papa, të saktësohen kriteret, që ndihmojnë për të dalluar kur sensus fidei është i vërtetë e kur, i tjetërsuar:
“Në të vërtetë, nuk është fjala për një lloj opinioni publik kishtar, e nuk mund as të mendohet përdorimi i tij për të kundërshtuar mësimet e Magjisterit, sepse sensus fidei mund të zhvillohet vërtetësisht në zemrën e besimtarit vetëm në atë masë, me të cilën ai merr pjesë plotësisht në jetën e Kishës, gjë që kërkon qëndrimin plot përgjegjësi ndaj Magjisterit të saj”.
Kjo mënyrë e kuptimit të fesë nga ana e besimtarëve, shtoi Papa, të shtyn të reagosh me forcë edhe kundër paragjykimit, sipas të cilit fetë, e në veçanti besimet monoteiste, qenkan mbartëse të dhunës. Prej këndej, mendimi se politeizmi i vlerave qenka garanci për tolerancën e paqen civile, në përkim të plotë me frymën e një shoqërie demokratike e pluraliste. Pohim aspak i vërtetë, ky, sepse, kujtoi Papa, Zoti e përjashton çdo formë të urrejtjes e të dhunës, në favor të përparësisë së dashurisë:
“Në se, prandaj, në histori ka pasur ose ka forma të dhunës, të kryera në emër të Zotit, këto sigurisht nuk kanë të bëjnë me monoteizmin, por me shkaqet historike e, në radhë të parë, me gabimet e njerëzve”.Çka i zhyt shoqëritë njerëzore në një nga format e relativizmit, nga e cila lind dhuna. theksoi në përfundim Papa, është pikërisht harresa e Zotit, thyerja e besës, që lidhi Zoti me njeriun, gjë që çon në rrënimin e ekulibrit në marrëdhëniet ndërmjet njerëzve. Prej këndej, duhet theksuar se pajtimi me Hyjin, realizuar nga Krishti, paqja jonë, është burim themelor i bashkimit dhe i vëllazërimit.







All the contents on this site are copyrighted ©.