2012-12-07 12:15:53

Krishtlindja me Papën:“Gjenealogjia e Jezusit”, sipas Ungjijve


Në emisionin e tretë të rubrikës ‘Krishtlindja me Papën’, gjenealogjia e Jezusit, sipas Ungjijve. Duke na ftuar ta lexojmë këtë gjenealogji, Benedikti XVI vë në dukje ndryshimet ndërmjet varianteve të ndryshme, për të na zbuluar kuptimin teologjik-simbolik të tyre, domethënë, vendin e Krishtit në histori, origjinën e vërtetë, hyrjen e Tij në udhët historike të premtimit dhe fillesën e re që, paradoksalisht, njëherësh me vazhdimësinë e veprimit historik të Hyjit, karakterizon origjinën e Jezusit (fq. 17).
Autori analizon me vëmendje edhe Ungjillin e katërt, që nuk merret me gjenealogjinë e Jezusit, por, në Prolog, i jep përgjigje të qartë e të madhërishme pyetjes “prej nga vjen?”.
Papa na fton t’i shfletojmë, me sy të vëmendshëm, të katër Ungjijtë, për t’i dhënë përgjigje pyetjes “nga vjen?”, duke zgjeruar vazhdimisht horizontin. Origjina e Krishtit, na kujton Benedikti XVI, është njëkohësisht e njohur dhe e panjohur, e lehtë për t’u shpjeguar e megjithatë, e patrajtuar deri në fund.
Në Çezarè të Filipit Jezusi i pyet dishepujt e tij: “Çka thonë njerëzit, kush jam unë?” e “Po ju, kush thoni se jam?”. Kush është Jezusi? Prej nga vjen? Këto dy pyetje, që bën Papa, që i bëjmë unë e ti e të gjithë njerëzit, dje e sot, janë të pandashme njëra nga tjetra e nga vetë jeta jonë.
E qëllimi i Ungjijve është pikërisht t’u përgjigjen këtyre pyetjeve, na sqaron Ati i Shenjtë. Kur Mateu nis Ungjillin e tij, vëren Papa, ia fillon nga gjenealogjia e Jezusit. E bën këtë, sepse dëshiron t’i japë menjëherë përgjigje pyetjes mbi origjinën e Tij. Gjenealogjia gati-gati shërben si titull i gjithë Ungjillit. Kështu Mateu, ndërsa Luka e vendos gjenealogjinë në fillim të jetës së Tij publike, si një lloj paraqitjeje para njerëzve, për t’iu përgjigjur theksimeve të ndryshme për të njëjtën pyetje, duke parafolur, atë që do të thotë në të gjithë Ungjillin e tij.
Sipas Mateut, dy janë emrat me rëndësi të dorës së parë për të kuptuar nga vjen Jezusi: Abrahami e Davidi. Me Abrahamin, si u shkapërnda njerëzimi, pas ndërtimit të Kullës së Babelit, nis historia e premtimit. Abrahami bëhet figurë-simbol i së ardhmes. Ai nuk është thjesht shtegtar, që del nga vendlindja, për t’u nisur drejt Tokës së Premtuar, por edhe shtegtar, që del nga e sotmja, për t’u drejtuar kah e ardhmja. Premtimi i Zotit, bërë Abrahamit, nuk i përket atij, e as pasardhësit (Zan 18,18). Kështu e gjithë historia, që nis me Abrahamin, shkon kah Jezusi. Shikimi rrok të tërën: përmes Abrahamit do të bekohen të gjithë. Duke u nisur nga gjenealogjia, syri drejtohet kah përfundimi i Ungjillit, ku i Ngjalluri u thotë Apostujve: “Bëni dishepujt të mi mbarë popujt” (Mt 28,19). Universaliteti i misionit të Jezusit përfshihet pikërisht në përgjigjen e pyetjes: “Ti, prej nga vjen?”.
Por Papa Ratcinger vijon të na kujtojë se gjenealogjia e Jezusit e historia e tij përshkohen tejembanë edhe nga figura e Davidit, këtij mbreti, të cilit i qe premtuar mbretëria e amshuar. “Froni yt do të qëndrojë në amshim” (2 Sam 7,16). Gjenealogjia e Mateut modelohet pikërisht mbi bazën e këtij premtimi. Strukturohet në tre grupe, që përfshijnë 14 brezni, duke nisur nga Abrahami, deri te Davidi e duke zbritur, më pas, te Salomoni, deri në mërgimin babilonez e pastaj duke u ngjitur rishtas tek Jezusi, në të cilin premtimi përmbushet plotësisht. Duket mbreti. Ai do të mbretërojë përgjithnjë, por krejt i ndryshëm nga ai, që përfytyronin njerëzit, duke u nisur nga modeli i Davidit. Davidi, emri i tij e premtimi që iu bë, karakterizojnë gjithë udhën, nga Abrahami, tek Jezusi. Prej këndej, shpjegon autori, mund të themi se gjenealogjia, me tre grupet e veta e katërmbëdhjetë breznitë, është Ungjill i vërtetë i Krishtit Mbret: e gjithë historia i ka sytë të ngulur te Krishti, tek Ai, froni i të cilit do të qëndrojë përgjithmonë.
Gjenealogjia e Mateut, shton Benedikti XVI, është gjenealogji njerëzish, ku gjithsesi, para Marisë, me të cilën përfundon, kujtohen katër gra: Tammara, Rahaba, Ruta e gruaja e Urisë. Thuhet se të katra janë mëkatare. E thuhet edhe se përmendja e tyre të kujton se Jezusi do të merrte mbi vete mëkatet e botës. Me rëndësi, fakti se asnjëra nuk ishte hebreje. E kështu, përmes tyre, hyn në gjenealogjinë e Jezusit, bota e jo besimtarëve, bëhet i dukshëm, misioni i tij ndërmjet hebrenjve e paganëve.
Shën Gjoni ungjilltar, shpjegon në përfundim Papa Ratcinger, përmbledh domethënien më të thellë të gjenealogjive e na mëson ta kuptojmë zanafillën e Zotit edhe si shpjegim për vetë zanafillën tonë, për gjenealogjinë tonë të vërtetë. Besimi në Jezusin, duke na dhuruar një prejardhje të re, na bën të lindim nga Hyji, të jemi bijtë e Tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.