2012-12-07 14:08:58

Kisha na fton të kundrojmë figurën e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm.


Më 8 dhjetor Kisha katolike na fton të kundrojmë misterin e Virgjërës Mari, zënë pa mëkat të rrjedhshëm.
Në fillim të Kohës së Ardhjes, para Krishtlindjes, Kisha na fton të kundrojmë misterin e Marisë së zënë pa mëkat të rrjedhshëm. Mbi këtë solemnitet e domethënien e festës së Zojës së Papërlyer, do të ndalemi shkurt duke vështruar rolin e Virgjërës Mari në rrugën e shëlbimit, natën e solemnitetit të Zojës së Papërlyer.
Sigurisht Maria është rruga historike që ndoqi Zoti për të hyrë në botë. Në se kujtojmë tregimin mbi Lajmërimin e Zojës, na çudit një fakt: Shën Luka ungjilltar (Lk 1,26-38) me saktësi të plotë e me përpikëri të jashtëzakonshme, thotë: “Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji”. Ky plotës vepruesi është vërtetë si një bubullimë, e kush thotë se mariologjia është shpikje e mëvonshme e Kishës katolike, përgënjeshtrohet menjëherë nga Ungjilli. Mariologjia lind njëherësh me Ungjillin e lind sepse Hyji kërkon bashkëpunim; e Maria është bashkëpunimi më i bukur që Zoti ka mundur të gjejë ndonjëherë në historinë e njerëzimit. Engjëlli Gabriel u dërgua nga Hyji: Kisha kujton se rruga historike që ndoqi Hyji për të hyrë në botë, është rruga e Marisë, atëherë e rijeton këtë rrugë, e ri-mendon, e ri-mediton, për të mësuar nga Maria stilin e pohimit të saj, të bashkëpunimit të saj me Zotin. Maria është krijesë e jashtëzakonshme, sepse liria e saj nuk dështon, si dështojnë shumë liri; liria e saj ia hap plotësisht portat Hyjit në nënshtrimin që çliron, në dëgjesën që të bën të pjekur, në bindjen që të bën të lumtur, prandaj Maria thotë: “Ja shërbëtorja e Zotit, u bëftë mbi mua si është fjala jote”. E kjo ‘Ja shërbëtorja e Tënzot” është pika qendrore e mbarë historisë së njerëzimit e me të lidhemi të gjithë e të gjithë kemi nevojë të rikthehemi tek kjo “Ja shërbëtorja Tënzot”, për ta përsëritur edhe ne këtë shprehje, për të thënë edhe ne ‘po’. E këtë mund të na e mësojë më mirë se kushdo Maria, që është mësuese feje.
Po në këtë kohë pritjeje, si të përgatitemi për Lindjen e Krishtit, së bashku me Marinë? Duhet të përshkojmë, së bashku me Marinë, rrugën e Betlehemit. Kur Maria vihet për udhë, sigurisht lëshohet plotësisht në dorë të Zotit. Ndoshta mund t’i ketë bërë vetes pyetjet: ç’më duhet ky udhëtim? E si mund ta nxjerr në dritë foshnjën larg nga shtëpia? Ç’ mund të më ndodhë e, sidomos, ç’ mund t’i ndodhë foshnjës? Por sigurisht Maria i është përgjigjur menjëherë këtyre pyetjeve bërë vetvetes me të njëjtat fjalë, që ia tha Engjëllit: “Ja, shërbëtorja e Tënzot, jam gati të shkoj ku të duash”. Ne duhet të ulemi në bankat e shkollës së Marisë, për ta bërë përsëri rrugën e Betlehemit. E kemi shumë nevojë ta bëjmë këtë, sepse sot, posaçërisht në shoqërinë perëndimore, vlejnë vetëm dy pushtete: pushteti i parasë e pushteti i suksesit, dy demonë në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, dy gënjeshtra, dy mashtrime kolosale. E dimë se vlen vetëm Zoti: është mësimi i Krishtlindjes. E për ta përvetësuar këtë mësim, Maria është mësuesja më e mirë; në sa rruga që përshkuan Maria me Jozefin është ajo që Kisha na e propozon edhe neve në Kohën e Ardhjes, në mënyrë që nga viti në vit, t’i afrohemi sa më pranë misterit të Betlehemit dhe të mbushemi plot me dritën e tij, aq sa ta dëgjojmë edhe ne këngën e Engjëjve: “Lumni Zotit në lartësitë qiellore e paqe në tokë njerëzve që ai i do”.
Po çka na mëson Kisha më këtë festë? Kisha në këtë ditë dhe festë na mëson dhe ne besojmë në këtë të vërtetë të fesë, se Maria, qysh prej momentit të parë të jetës së vet, ishte e liruar nga mëkati dhe e zënë pa mëkate të rrjedhshëm. Bëhet fjala mbi të të zanunit e Marisë nëpërmes prindërve të vet Joakimit dhe Anës. Maria lindi si fëmijë prej prindërve të saj në mënyrë natyrore. Ajo e pranon hirin prej Jezu Krishtit me anë të vdekjes së tij në kryq.
Kjo dogmë, kjo e vërtet e fesë, që ne kremtojmë u definua dhe u lajmërua zyrtarisht si, doktrinë krishtere, prej Papës Piu IX, më 08.12. 1854, "Virgjëra Mari që nga momenti i ngjizjes, sipas hirit të veçantë dhe përligjjes së Hyjit të Gjithëpushtetshëm dhe sipas meritave të Jezu Krishtit, Shpëtimtarit të të gjithë njerëzve, u ruajt e paprekur nga çdo njollë mëkati të rrjedhshëm“. Maria e pranon planin e Zotit, Maria ishte Eva e Re, e cila mbeti pa mëkate dhe u bë "Nëna e të gjithë të gjallëve". Etërit e kishës e shikojnë në „Maria Immaculata“, një fotografi për „Ecclesia Immaculata“, dhe për shëlbimin tonë nëpërmes Krishtit. Ne e festojmë edhe misterin e shëlbimit tonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.