“Është e drejtë dhe e nevojshme që shteti të mos radhitet përkrah asnjë konfesioni,
të qëndrojë asnjanës, por nuk është aspak e pranueshme që të mbështesë, tinzish, vizionin
shekullar të një bote pa Zot”. U shpreh kështu kryeipeshkvi i Milanos, kardinali
Anxhelo Skola, gjatë Meshës, kremtuar në kryediqezin e tij, për festën e Shën Ambrozit.
Shteti i ashtuquajtur asnjanës nuk është aspak i tillë. Përkundrazi. Ai përvetëson
një kulturë të veçantë, atë shekullariste e cila, përmes ligjshmërisë, bëhet kulturë
sunduese, duke ushtruar ndikim negativ mbi identitetet e tjera. Por, si mund të zgjidhet
një problem, kaq i rëndësishëm? Është i nevojshëm, shpjegon kardinali Skola, një
shtet i cili, pa bërë të vetin asnjë vizion të posaçëm, nuk e shpjegon qëndrimin asnjanës
përballë konfesioneve të ndryshme, si shkëputje nga të gjitha vizionet mbi botën,
që shprehen në shoqërinë civile, por krijon hapësira në të cilat çdo subjekt personal
e shoqëror mund të sjellë kontributin e vet në shërbim të së mirës së përbashkët.