2012-12-06 15:23:22

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e krishterë, pjesa e fundit


Të dashur dëgjues, sot do të reflektojmë mbi pjesën e fundit të “Besojmës” së krishterë, pasi kemi folur, në emisionet e kaluara, mbi kuptimin e këtij simboli të fesë, me të cilin shpallim para botës se në çfarë besojnë të krishterët. Pasi përmendëm Shpirtin Shenjt, thuhet se të krishterët besojnë:

A duhet besuar në Kishën? Nuk është një besim si ai për Trininë Shenjte, por Kishën e ka dashur vetë Jezusi, për t’ia bërë të njohur botës gjithçka ka sjellë në Tokë nga Trinia e Shenjtë vetë Krishti. Prandaj, është e drejtë të besojmë në mësimet e Kishës për Zotin. Mund të themi: kam besim se mësimet e Kishës janë të vërteta.
Por për ç’Kishë është fjala? Kisha e Krishtit nuk është famullia, as prifti e madje, as Vatikani. Të gjitha këto bëjnë pjesë në Kishë, por Kisha vetë është më shumë se kaq. Nëse përdorim fjalët e Biblës, në Librin e Zbulesës e në Letrën për Efezianët, Kisha është NUSJA e Jezusit. E duam këtë Kishë, sepse është Nëna jonë shpirtërore, na ka bërë të rilindim në fe; e duam, sepse pranon në gjirin e vet shenjtorë e mëkatarë, të gjallë e të vdekur, miliarda njerëz; e duam edhe për meshtarët e murgeshat, që mohojnë vetveten, për të dashur një familje tjetër, së cilës ia dhurojnë jetën: bashkësinë e krishterë.
Kjo Kishë është “një”, pasi pavarësisht se e ndarë në katolikë, ortodoksë, protestantë… është e VETMJA Nuse e Krishtit. Është “e shenjtë”, pasi merr gjithçka nga Jezusi, pavarësisht se nganjëherë mëkaton. Por është më tepër e shenjtë, ashtu siç mund të jetë gjithnjë “i mirë” prindi, pavarësisht nga gabimet, pasi ka për bijtë një dashuri pafundësisht më të madhe se çdo kufizim të tij. Kjo Kishë është edhe “katolike”, që do të thotë universale. Ajo përmbledh krejt njerëzimin, është dërguar për t’u shpallur Lajmin e Mirë të gjithë njerëzve, të gjithë botës, gjatë gjithë historisë. Është “apostolike”, pra, e themeluar nga apostujt. Jo më kot Papa quhet Pasardhës i Shën Pjetrit, i gurit të këndit mbi të cilin Krishti ndërtoi Kishën e vet. “Besojma” vazhdon:

Hyjmë në Kishën-Nuse-të-Krishtit përmes Pagëzimit, i cili është Sakrament, që merret vetëm një herë në jetë. Këtë e kanë parasysh edhe protestantët e ortodoksët, të cilët nuk i pagëzojnë rishtas ata katolikë, që bashkohen me ta, në ndryshim nga Dëshmitarët e Jehovait, të cilët ripagëzohen, duke harruar se ky Sakrament është një i vetëm e na bën një me Krishtin. Me anë të Pagëzimit shlyejmë mëkatin e rrjedhshëm të Adamit e të Evës, atë që s’varet nga ne, që jetojmë sot, në këtë kohë. Por për mëkatet që varen nga ne, të mos harrojmë se kemi nevojë për Pendimin e Rrëfimin, Sakramente të domosdoshme për ta pastruar e shndritur shpirtin.

Ne besojmë në një TË VËRTETË tjetër tejet të rëndësishme: besojmë se jeta nuk mbaron me vdekjen. Njësoj si Jezusi, edhe ne jemi të destinuar për Ringjalljen jo vetëm të shpirtit, por edhe të trupit. E si ka mundësi, si do të jetë kjo ringjallje? – do të pyesë ndokush. Nuk është e vërtetë se nuk e dimë, do të jetë siç ishte për Jezusin, i cili u paraqit me një trup, që nuk zinte vend as në hapësirë e as në kohë. Duke hyrë në Çenakull – për të përdorur një imazh mjaft popullor – Jezusi kaloi përmes mureve e për Të koha nuk kalon, pasi ka të njëjtin Korp tani, si atëherë, nuk plaket.
Shën Pali, në kapitullin e 15-të të Letrës së parë drejtuar Korintasve, përdor një similitudë: atë të kokrrës së grurit, që nëse e mbjell, vdes për t’i dhënë jetë një bime të re, e cila është gjithnjë grurë, por ka diçka më shumë, më të bukur, më të pasur… Kështu do të jetë edhe ringjallja për ne. Është jetë e re, apo siç thotë “Besojma”:

Sipas Biblës, na presin “Qiej të rinj e tokë e re”. Ja fjalët e Librit të Zbulesës, kapitulli i 21-të: “Pashë një qiell të ri e një tokë të re, sepse qielli i parë dhe toka e parë u zhdukën, as deti nuk është më. Pashë edhe qytetin e shenjtë - Jerusalemin e ri: zbriste nga qielli, prej Hyjit, i stolisur porsi nusja e përgatitur për fatin e vet. Atëherë dëgjova një zë të fortë që vinte nga froni: »Ja Tenda e Hyjit me njerëz! Hyji do të banojë me njerëz! Ata do të jenë populli i tij, kurse Ati, vetë Hyji, do të jetë me ta [Hyji i tyre]«. Ai do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre. As Vdekja më s’do të jetë, as vaj, as ofshamë, as dhimbje më s’do të ketë, [sepse] bota e mëparshme mori fund. Atëherë Ai që rri mbi fron tha: »Ja, unë i bëj të reja të gjitha gjërat!«”.
Kjo është bota, që do të vijë. Aty ku mendojmë se gjithçka mbaron, GJITHÇKA FILLON.

Ashtu qoftë, pra. Në këtë besojmë.








All the contents on this site are copyrighted ©.