2012-12-06 15:23:05

Kongo: situatë e rëndë në Goma. Kardinali Maradiaga: lufta bëhet për burimet minerale


Situata humanitare në Kivu, në Lindje të Republikës Demokratike të Kongos, vazhdon të jetë dramatike. Në Kampala, në Ugandë, pritet të nisin negociatat ndërmjet qeverisë kongoleze e rebelëve M23. Në Goma, pas daljes së rebelëve, vazhdon të mbizotërojë dhunë e plaçkitje. Papa, dje, gjatë audiencës së përgjithshme në Vatikan, bëri thirrje për rivendosjen e paqes e për të ndihmuar dhjetëra mijëra civilë që kanë braktisur shtëpitë e tyre, për t’i shpëtuar dhunës e konfliktit. Karitasi Ndërkombëtar është duke koordinuar ndihmat e Kishës katolike për popullsinë civile, siç pohon kardinali Oscar Andrés Rodréguez Maradiaga:
“Më duket që fjalët e Papës janë vërtetë shumë të rëndësishme, sepse është ai autoriteti i vetëm moral, që ka mbetur në botë e që ka mundësinë të arrijë tek të gjithë njerëzit vullnet mirë. Kjo thirrje e Atit të Shenjtë Benediktit XVI duhet të çmohet shumë e të shqyrtohet, sepse nuk është e mundur të asistojmë para një lufte të re për arsye që mund të evitohen: njëra prej shkaqeve kryesore është interesi për mineralet e çmueshme, që janë strategjike e që janë baza e luftës që shpërtheu nga lëvizjet e armatosura, nga guerilja. Prandaj, nuk ka shkaqe ideologjike: synimi është vetëm pushtimi i atyre territoreve për shfrytëzimin mineraleve të çmueshme. Unë i bëjë jehonë thirrjes së Papës, që në mbarë botën katolike të ndërmerret nisma, posaçërisht vargu i lutjes, që Shpirti Shenjtë Zot të mund t’i shndërrojë zemrat dhe të bënë në mënyrë që ndjenjat e lakmisë e të dëshirës vetëm materiale të mund të shndërrohen në respektim të jetës, posaçërisht të më të varfërve”.







All the contents on this site are copyrighted ©.