2012-12-06 12:29:43

Imzot Pjetër Bogdani në përvjetorin e vdekjes


Si sot, më 6 dhjetor 1689 vdiq në Prishtinë nga epidemia e murtajës personaliteti i shquar i Kishës dhe i kulturës shqiptare, bariu i madh imzot Pjetër Bogdani (rreth 1630-1689). Bariu i fortë shpirtëror e teologu i madh shqiptar, imzot Pjetër Bogdani është edhe shkrimtari i fundit dhe më origjinal i letërsisë së hershme në Shqipëri, është autor i ‘Cuneus prophetarum’ (Çeta e profetëve), vepra e parë e rëndësishme teologjike dhe në prozë e shkruar drejtpërdrejt shqip.
Lindur në Gur të Hasit afër Prizrenit rreth vitit 1630, imzot Pjetër Bogdani u edukua e formua sipas traditave dhe në universitete të larta të Kishës katolike, së cilës i kushtoi gjithë energjitë e veta njerëzore, shpirtërore, teologjike e kulturore .
Thuhet se shkollimin e parë Pjetër Bogdani e mori nga françeskanët në Çiprovac të Bullgarisë veriperëndimore dhe pastaj ndoqi studimet e larta filozofike e teologjike në Kolegjin Ilirian të Loretos pranë Ankonës, siç patën bërë paraardhësit e tij imzot Pjetër Budi e imzot Frang Bardhi. Nga viti 1651 deri më 1654 ndoqi studimet në Kolegjin e Propaganda Fides në Romë, ku mori titullin doktor në filozofi e teologji. Më 1656 u emërua Ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Kryedioqezës së Tivarit. Gjatë viteve të turbullta të luftës turko-austriake, 1664-1669, u fsheh në fshatrat Barbullush e Rjoll të Shkodrës. Shpella ku qe strehuar asokohe mban edhe sot e kësaj dite emrin e tij. Më 1677 zuri vendin e t’ ungjit, imzot Andrea Bogdanit, si kryeipeshkëv i Shkupit dhe administrator i Mbretërisë së Serbisë. Me zellin baritor, me veprimtarinë ungjillëzuese dhe zjarrin atdhetar në zemër, ai mbeti në konflikt me autoritetet pushtuese turke dhe, në atmosferën e luftës e të rrëmujës që mbretëronte, u detyrua të ikë në Raguzë (Dubrovnik), nga ku vazhdoi rrugën për në Venedik dhe Padovë, duke mbartur edhe dorëshkrimet me vete. Në Padovë u prit me përzemërsi nga kardinal Gregorio Barbarigo (1622-1697), të cilin i njihte qysh në Romë. Kardinali Barbarigo, kryeipeshkëv i Padovës, i ngarkuar për çështjet kishtare të Lindjes, interesohej shumë për shqiptarët. Ky kardinali kishte në Padovë edhe një shtypshkronjë pranë Seminarit, ku formoheshin prifërtinjtë, Tipografia del Seminario, që shërbente për nevojat e Kishave në gjuhët lindore. Kështu Pjetër Bogdani gjeti përkrahjen që i duhej për botimin e veprës ‘Cuneus prophetarum’, në përgatitje e sipër.
Pasi i vuri punët në vijë për botimin e veprës teologjike, ipeshkvi shqiptar u kthye në Ballkan në mars 1686 dhe i kaloi vitet e tjera duke mbështetur qëndresën e betejën e popullsisë shqiptare kundër ushtrive pushtuese të Perandorisë Osmane, sidomos në Kosovë. Ai organizoi bashkimin e një force prej 6000 ushtarësh shqiptarë me ushtrinë austriake që kishte mbërritur në Prishtinë dhe e shoqëroi në marrjen e Prizrenit. Por atje, imzot Pjetër Bogdani dhe pjesa më e madhe e ushtrisë së tij u ndeshën me një kundërshtar tjetër po aq të tmerrshëm, me sëmundjen e murtajës. Bariu e udhëheqësi shpirtëror imzot Bogdani u kthye në Prishtinë, ku sëmundja e mposhti përfundimisht më 6 dhjetor 1689. I nipi, Gjergji, bënte të ditur se eshtrat e të ungjit ishin zhvarrosur më pas nga ushtarët pushtues turq e tartarë dhe u ishin hedhur qenve në mes të sheshit në Prishtinë. Kështu përfundoi një nga figurat më të mëdha të Kishës dhe të kulturës së hershme shqiptare, teologu e shkrimtari që njihet si babai i teologjisë dhe prozës shqiptare.
Vpera ‘Cuneus prophetarum’, është traktat i tij i gjerë mbi teologjinë, botuar shqip e italisht pikërisht në Padovë më 1685, me ndihmën e kardinalit Barbarigo.
Titulli i plotë i variantit të botuar është: "Cvnevs prophetarvm de Christo salvatore mvndi et eivs evangelica veritate, italice et epirotice contexta, et in duas partes diuisa a Petro Bogdano Macedone, Sacr. Congr. De Prop. Fide alvmno, Philosophiae & Sacrae Theologiae Doctore, olim Episcopo Scodrensi & Administratore Antibarensi, nunc vero Archiepiscopo Scvporvm ac totivs regni Serviae Administratore"
(Çeta e profetëve të Krishtit, shëlbues i botës dhe i fjalës së tij të vërtetë, botuar në gjuhët italiane e epirote dhe ndarë në dy pjesë nga Pjetër Bogdani i Maqedonisë, student i Kongregacionit të Shenjtë të Propaganda Fides, doktor në filozofi e teologji, ish-ipeshkëv i Shkodrës dhe administrator i Tivarit, tani kryeipeshkëv i Shkupit dhe Administrator i mbarë Mbretërisë së Serbisë).
Është e pamundur të flitet për këtë vepër madhore shkurtimisht, prandaj po shtojmë, për ata që duan të dinë më shumë, se vepra është ribotuar dhe studiuar shumë herë. Studimet më të plota për Bogdanin deri më sot janë kryer nga Sciambra dhe Rugova. Është studiuar edhe nga Weigand, Zamputi, Kamsi, Riza, Xholi, Marlekaj, Shuteriqi, Marquet, Kostallari, Plasari, Fortino dhe Osmani.







All the contents on this site are copyrighted ©.