2012-12-06 15:23:43

Bredhi i Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit. Sipas Papës, ai dhe Betlehemi janë simbole të jetës e të paqes së Zotit


Mbërriti sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, bredhi i Krishtlindjes. Këtë vit, ai i është dhuruar Papës nga bashkësia molizane e Peskopenataros, në provincën italiane të Izernies. Pranë bredhit, po vazhdojnë punimet për të përfunduar Betlehemin, dhuruar kësaj radhe nga Bazilikata, ku ndodhen të ashtuquajturit “Shkëmbijtë e Materës”, pasuri kulturore e mbrojtur nga UNESCO, që do të riprodhohen në Sheshin e Shën Pjetrit. Bredhi është i lartë 24 metra dhe është njëri nga drurët, që gjithsesi do të priteshin për mirëmbajtjen e pyllit nga vjen. Më pas, si çdo vit, ai do t’u jepet shoqatave bamirëse, që do ta kthejnë në lojra për fëmijë. Ndezja e dritave të bredhit është parashikuar në pasditen e 14 dhjetorit. Në të njëjtën ditë, Papa do të presë në audiencë bashkësinë molizane të Peskopenataros.
Mëse një herë gjatë papnisë së tij, Benedikti XVI ka theksuar kuptimin shpirtëror të bredhit të Krishtlindjes, simbol i qartë i lindjes së Krishtit, pasi me gjethet e tij gjithnjë të gjelbërta, të kujton jetën, që nuk vdes kurrë:
“Bredhi dhe Betlehemi janë elemente të atmosferës tipike të Krishtlindjes, që bën pjesë në trashëgiminë shpirtërore të bashkësive tona. Është një atmosferë e mbushur me fe e me intimitet familjar, që duhet ruajtur edhe në shoqëritë e sotme, ku, nganjëherë, duket se mbizotërojnë gara e konsumizmit dhe vetëm dëshira për të mira materiale” (Fjala për delegacionin e Val Badisë, 14 dhjetor 2007).
Papa na kujton se ashtu si bredhi, që ndriçohet me dhjetra drita, për të dëshmuar Dritën e vërtetë, që vjen në botë, edhe ne jemi të thirrur të bëjmë edhe më shumë vepra të mira në këtë periudhë, për t’u dëshmuar bashkohasve se Zoti ka ardhur vërtet dhe e ka shëlbuar njerëzimin:
“Bredhi i Krishtlindjes e pasuron vlerën simbolike të Betlehemit, që është mesazh vëllazërimi e miqësie; ftesë për bashkim e paqe; ftesë për t’i bërë vend, në jetë e në shoqëri, Zotit, që na jep dashurinë e Tij të gjithpushtetshme përmes figurës së brishtë të një Foshnjeje, pasi dëshiron që t’i përgjigjemi lirisht dashurisë së Tij me dashurinë tonë” (Fjala para delegacionit të Tirolit të Jugut, 17 dhjetor 2010).
Betlehemi, që këtë vit dhurohet nga Bazilikata, është projektuar nga mjeshtri Françesko Arteze, i cili interpreton artistikisht një pamje nga Shkëmbijtë e Materës. Brenda këtij skenari, mund të shihet Kompleksi i Shën Andout e kisha e shën Nikollës së Grekëve. Sipër, spikat këmbanorja e Shën Pjetrit Barezan. Atmosfera, në të cilën janë vendosur njerëzit, është ajo tipike e qytetërimit të lashtë fshatar lukan. Shtatoret, mëse 100, të realizuara në terrakotë, janë veshur me rroba të kollarisura, frymëzuar nga kostumet e fshatarëve lukanë të kohëve të shkuara. Pak si në të djathtë, skena e Lindjes së Krishtit. Artisti i ka veshur protagonistët e saj me konstumet tradicionale klasike. Betlehemi zë një sipërfaqe prej rreth 150 metrash katrorë. Krejt skena është realizuar me polistirol dhe është mbuluar me një lloj llaçi, që jep efektin e shtufit. Struktura është ndërtuar me metal e dru dhe qëndron sipër tokës, në një lartësi prej 90 cm. Ndriçimi është realizuar nga skenografi italian Mario Karlo Garrambone.







All the contents on this site are copyrighted ©.