2012-12-05 15:17:27

Papa në audiencën e përgjithshme: Zoti na bën thirrje ta çojmë në botë planin e tij të dashurisë.


Në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sallën e Palit VI, në Vatikan, para thirrjes për paqe në Kongo, Papa u ndalua, në katekizëm, tek plani i dashurisë së Zotit për të gjithë njerëzit, plan që, nënvizoi Ati i Shenjtë, na zbulohet plotësisht nga Krishti, i cili e shndërron jetën tonë. Më pas i ftoi besimtarët, posaçërisht në Kohën e Ardhjes, ta vënë në jetë planin e dashurisë së Zotit.
Koha e Ardhjes, tha Papa, na fton edhe një herë, në mes të shumë e shumë vështirësive, të jemi përsëri të sigurtë se Zoti është i pranishëm. Ai, shtoi Ati i Shenjtë duke vijuar t’u flasë besimtarëve, mbledhur në Sallën e Palit VI, u bë njeri, si ne, për të na çuar kah përmbushja e planit të tij të dashurisë:
“E Hyji kërkon që edhe ne të bëhemi shenjë e veprimit të Tij në botë. Përmes fesë sonë, shpresës sonë, dashurisë sonë, Ai dëshiron që, me dritën e tij, të ndriçojë në natën tonë”.
Duke cituar Letrën e Shën Palit drejtuar të krishterëve të Efezit (cfr 1,3-14), në krye të së cilës Apostulli i larton një lutje bekimi Hyjit, Atë i Zotit tonë Jezu Krishtit, që na prin në rrugën e Kohës së Ardhjes, Benedikti XVI i ftoi gjithë besimtarët ta jetojnë këtë kohë të fortë kishtare në kuadrin e Vitit të Fesë.
E më pas pyeti: “Por, ç’e shtyn Apostullin t’ia lartojë nga thelbi i zemrës këtë lutje Hyjit?”. E larton, sepse shikon veprimin e tij në historinë e shëlbimit, që arrin kulmin me mishërimin, vdekjen e ngjalljen e Birit të Tij, Jezusit. Pali kundron sesi Ati qiellor na zgjodhi para krijimit të botës, për të qenë bijtë e tij në shpirt, në Birin e tij të vetëm, Jezu Krishtin (cfr Rom 8,14s; Gal4,4s). Mund të themi, prandaj, se, në mendjen e Hyjit, ne ekzistojmë që prej amshimit, në një plan të madh, të cilin Ati e ruajti në vetvete, duke vendosur ta zbatojë e ta zbulojë, kur u plotësuan kohët(cfr Ef 1,10). Shën Pali na bën të kuptojmë, kështu, se mbarë krijimi e, në veçanti, burri e gruaja, nuk janë fryt i rastësisë, por i përgjigjen planit plot dashamirësi të arsyes së amshuar të Zotit, misterit të vullnetit të Atij, që me forcën krijuese e shëlbuese të Fjalës, i jep zanafillën botës. E ne, pikërisht në këtë kohë të fortë të Ardhjes, shikojmë se ky plan dashurie nuk është më i fshehur: duket në Vetjen e në veprën e Krishtit:
“Ky plan dashamirësie nuk mbeti, në se mund të shprehemi kështu, në heshtjen e Hyjit, në lartësitë e Qiellit të Tij, por Ai e bëri të njohur në marrëdhënie me njeriun, të cilit nuk i dëftoi thjesht diçka, por i dëftoi vetveten”.
Ai, shtoi Papa duke kujtuar Koncilin II të Vatikanit, nuk komunikoi vetëm të vërtetën e plotë, por edhe u mishërua, u bë një nga ne. Zoti, vijoi të shpjegonte Benedikti XVI, e zbuloi planin e tij të dashurisë, duke hyrë në marrëdhënie me njeriun e duke iu afruar deri në atë pikë, sa të bëhej edhe vetë njeri:
“Vetëm me inteligjencën e me aftësitë e tij, njeriu nuk do të kishte arritur kurrë tek kjo zbulesë kaq e ndritshme e dashurisë së Hyjit; ishte vetë Zoti ai, që e hapi qiellin e vet e u ul, për t’i prirë njeriut kah pafundësia e dashurisë së Tij”.
E ky bashkim me Krishtin, që Hyji ua dhuron të gjithë njerëzve, shtoi Shenjtëria e Tij, nuk është diçka, që i kundërvihet natyrës sonë njerëzore. Përkundrazi, është përsosje e të gjitha shpresave, pëkryerje e dëshirës për pafundësinë, që zjen pambarimisht në zemrën njerëzore.
E në vijim, gjithnjë në këtë perspektivë, Papa pyeti: ‘Ç’është akti i fesë?’, duke shpjeguar, më pas, se ky akt s’është tjetër, veçse përgjigjja që i jep njeriu Zbulesës së Zotit, është, për të përdorur një shpehje agostiniane, lëshmi i vetvetes në dorë të Hyjit, së Vërtetës, që na e zbuloi misterin e Tij e që, prandaj, duhet t’i bindemi pa kushte në fe, duke e lëshuar plotësisht vetveten në oqeanin e mirësisë së Tij:
“E gjithë kjo çon në ndryshimin e plotë të marrëdhënieve me realitetin: gjithçka duket nën një dritë të re. E pikërisht ky është kthim i vërtetë në rrugën e Zotit, është ndryshim i mendësisë, sepse Hyji, që u dëftua në Krishtin e na e bëri të njohur planin e tij të dashurisë, na rrok, na tërheq pas vetes, bëhet kuptimi i vetë jetës, shkëmbi mbi të cilin njeriu e ndjen veten të sigurtë”.
Në çastin e përshëndetjeve, Benedikti XVI kujtoi posaçërisht përfaqësuesit e Federatës Italiane të Bukëpjekësve, duke i falënderuar për dhuratën e panetoneve, që do të përdoren për veprat e bamirësisë së Atit të Shenjtë.
Kujtojmë se në tryezën e festës të të gjithë bashkëpunëtorëve të Papës, nuk mungon kurrë një panetone e një shishe verë shkumbuese, dhuratë e Atit të Shenjtë për Festën e madhe. Simbol, kjo dhuratë, e vetë pranisë së Papës në gjirin e familjeve të atyre, që punojnë përkrah tij. Një përshëndetje e përzemërt edhe për vullnetarët e Dispanserisë pediatrike të Shën Martës në Vatikan, të cilët Benedikti XVI i ftoi të jenë dëshmitarë gjithnjë më bujarë të Zotit.







All the contents on this site are copyrighted ©.