2012-12-05 14:41:22

NATO-ja miraton vendosjen e raketave kundër Sirisë, në Turqi


Kriza siriane shkakton reagimin e NATO-s. Para kërcënimit për përdorimin e mundshëm të armëve kimike, pavarësisht nga përgënjeshtrimet e presidentit sirian al Asad, Pakti i Atlantikut autorizoi vendosjen e raketave Patriot në Turqi, përgjatë kufirit me Sirinë. Kërkesa u bë nga qeveria e Ankarasë, e cila sqaroi se do të përdoren vetëm në rast sulmi nga ana e Damaskut.
Ndërkaq, në terren vazhdon gjakderdhja. Në një ditë, mëse 120 viktima; u bombardua nga opozita edhe një shkollë në kampin e refugjatëve në verilindje të kryeqytetit sirian, duke shkaktuar vdekjen e 28 fëmijëve. Të dëgjojmë komentin e drejtorit të Revistës Italiane për Mbrojtjen, Pjetro Bataki:
Që Siria ka armë kimike, është jashtë çdo dyshimi. Është e qartë tashmë. Programi lindi në fund të viteve ’70, fillimi i viteve ’80, kur i ati i presidentit aktual Bashar al-Asad, i cili quhej Hafiz al-Asad, e kuptoi se lëndët kimike mund të ishin përgjigjja më e mirë e regjimit ndaj programit bërthamor izraelit, për shkak të kostos së ulët. Para disa vjetësh, Siria pati filluar edhe një program bërthamor, të cilit i dhanë fund bombardimet izraelite kundër reaktorit të al-Kibarit, në shtator 2007.
Sipas lajmeve të fundit, armët kimike po zhvendosen brenda territorit. A janë akoma efikase?
Gjendja e programit kimik sirian nuk është e qartë. Disa përbërës të armëve kimike, mund të kenë skaduar pas kaq vitesh, por nuk e dimë nëse programi ka sot, të njëjtin efikasitet si 10, apo 15 vjet më parë.
Sipas jush, çfarë e mban akoma gjallë regjimin sirian?
Regjimi i Asadit mbijeton për hir të një dinamike të jashtme. Derisa Rusia ta mbështesë, kam përshtypjen se ky regjim do të vazhdojë të jetojë, pasi është në lojë qëndrueshmëria e krejt zonës. Siria është një vend më i ndërlikuar se Libia. Në Libi, në vitin 2011, bashkësia ndërkombëtare, NATO-ja, OKB-ja, ndërhynë, sepse Rusia ua lejoi këtë. Sot për sot, të ndërhysh në Siri, do të thotë të ngacmosh edhe Iranin, Izraelin, Turqinë… do të thotë të prekësh vetë zemrën e Lindjes së Mesme. Kjo është arsyeja që bashkësia ndërkombëtare heziton të hyjë në një konflikt, përfundimi i të cilit nuk mund të llogaritet e të parashikohet lehtë.







All the contents on this site are copyrighted ©.