Sonte besimtarët katolikë kremtojnë natën e festës së Shën Nikollit, ipeshkëv.Pra, Kisha katolike kremton sonte natën e festës liturgjike të Shën
Nikollit, ipeshkëv i Mirës në Azi të Vogël (Turqia e sotme), në shekullin e IV, një
ndër shenjtorët e dëshmitarët e Krishtit më të nderuar nga besimtarët e krishterë
si dhe ata shqiptarë, të të gjitha krahinave e madje edhe të besimit islam. Shën Nikolla
u dallua për fenë e gjallë në Mësuesin Hyjnor, Jezu Krishtin dhe posaçërisht për kujdesin
e ndihmën për të varfrit, siç pohojnë shumë tregime e gojëdhëna që flasin për bamirësinë
e dashamirësinë e tij ndaj nevojtarëve. Prandaj shën Nikolla është për të gjithë ne
shembull i bamirësisë ndaj të varfërve, mbrojtës i të vërtetave të fesë së krishterë
dhe i dinjitetit të çdo njeriu, dëshmitar i guximshëm i fesë në Zotin. Edhe ndër
shqiptarë, shumë njerëz thirren me emrin Nikollë, emër që duke iu përshtatur gjuhës
shqipe, njihet me trajtat: Kolë, Koli, Kole dhe Lec. Kulti i nderimit të shën
Nikollit ndër shqiptarë është i lashtë, qysh përpara pushtimit turk, siç dëshmojnë
një sërë dokumentesh dhe vërtetojnë edhe gërmadha të Kishave të shumta kushtuar Shenjtit
në tokat shqiptare. Kështu, në dokumentet e Farlatatit, shkruan në shekullin XVIII,
lexojmë: “Në krahun ku ndodhet Kisha e Zojës së Këshillit të Mirë, pak më nga jugu,
prapa kështjellës, dukej një Kishë madhështore me gurë të skalitur, shiheshin rrënime
e shumë mure akoma në këmbë.....Ishte Kisha e Shën Nikollit....Turqit nuk guxonin
të preknin aty asnjë send...aq i madh ishte nderimi për Shenjtin”. Gjithnjë sipas
Farlatit, andej lumit Bunë, në lagjen që quhej “Te Buen”, pak më larg nga Kisha e
famshme e Shën Sergjit e Bahut, ka qenë një tjetër Kishë kushtuar Shën Nikollit, muret
e së cilës ishin të mbuluara me afreske që përkujtonin mrekullitë e shenjtit.....”. “Duke
ndjekur rrjedhën e lumit Buene, te gryka e detit, ka qenë ndërtuar një Kishë e mrekullueshme
e Shën Nikollit të Barit, me gurë të skalitur”, shkruhet në dokumentet e Farlatit.
Ndonëse autoritetet pushtuese turke e kishin ndaluar rreptësishtë – në kremtimin liturgjik
të Shenjtit merrte pjesë edhe një shumicë besimtarësh myslimanë. Devocioni për shën
Nikollin ishte aq i madh, sa famullitari i vendit jetonte vetëm me lëmoshat që mblidheshin
ditën e festës. Emrin e kësaj Kishe, më vonë e mori fshati, duke u quajtur “Shën N’koll”.
Kështu shën Nikolli hyri edhe në toponomastikën shqiptare. Një tjetër Kishë e Shën
Nikollit ka qenë ngritur që para pushtimit turk në Shkodër, në lagjen Rus, sot e rindërtuar
shumë bukur, pas rrënimit të saj të plotë bërë nga komunistët. Po sigurisht që
Kisha më e njohur e shën Nikollit në trevat shqiptare është Kisha Katedrale në Lezhë,
seli e Kuvendit të famshëm të Princave shqiptarë të shekullit XV, vendvarrosje e heroit
të kombit shqiptar Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Kisha kushtuar nderimit të shën
Nikollit kemi edhe në Kosovë, ajo e bashkësisë famullitare të fshatit Velezhë të Prizrenit,
ndërtuar nga dom Nikollë Mini. Po kështu edhe në rrethinën e Ulqinit të Malit të Zi
e shumë kapela tjera. Tradita të bukura e prekëse lidhen me kremtimin e festës
së Nikollit në treva shqiptare. Me këtë rast është traditë ndër katolikë të Shqipërisë
të flijohet një gjel ( këndes ); ndër shqiptarë të Kosovës – një qengj. E sidomos
është traditë që sonte, natën e së kremtes së Shën Nikollit, familjarët para se të
darkojnë së bashku e me miq, të ndezin qirin e Shën Kollit, të këndojnë këngën e lashtë
“Sa punë të mëdha e mrekulli, që ka ba Shejti Shën Kollë” dhe t’i lutën Zotit së bashku
përmes ndërmjetësimit të Shenjtit të mrekullive. Pra, të gjithë atyre që e lusin
këtë festë, për shumë mot, me ndërmjetësimin e Shën Nikollit, Zoti Atë ua dhuroftë
hire e bekime Hyjnore e ua të plotësoftë dëshirat e mira.
Kanga e Shën Nëkollit. Sa
punë të mëdhaja e mrekulli Qi ka bâ Shejti Shën Nkollë, Difton qiella me lumni E
gjithë bota s’pranë tue folë. Lundërtari tue vozitë e skamnori që lypë bukë, kangë
e lavde s’rrinë pa qitë; Si shtegtari që ban rrugë. Si i pasë, si ai që s’ka, N’pasët
ndoj smundje a çdo idhnim, Fill te i lumi pa ia dá N’ ujë t’ Shën Nëkollit gjenë
shërim. Qysh se leu n’ kët botë ky fmí, Kje si hylli që shkelxen, Kje si
drita tanë mirsí Gjindja u mbushen me gazmend. Ai kje i pastër si bilur, I
dha trupit të madh shtërngim E n’e prende e n’e merkurr gji nuk merr, ban agjinim. Tue
u rritë me shumë urtí, Shpejt e ngjiten prindja në shkollë; E nji të madhe mrekullí Hin
e ban Shejti Shën Nëkollë. Kur prej shkollës po kthente n’ shpí Hasë nji grue
që ish’ tue dekë E ky djalë plot me dashtëní tue i bâ kryq prej dekës e hjekë. Adeodati,
djalë dishiri, Kje grabitë e çue në mergim E i Shën Nëkolli prej Misiri Për
ajrí e çon në lirim. Tri kuleta janë dërgue Ndër tri vajza mbetun shkret, Prej
dritorjet shkon me i çue, E ato me nderë i qet. Tre fmí të mbytun prej mizorit, Shtî
n’ nji sheke copë e grimë, I ktheu në jetë pa kurrfarë zorit I Shën Nëkolli
me ‘i bekim. Fushë e male, tokë e dét, Uj e zjarm e diell e hanë, Sa fuqí
mbi dekë e jetë Ka Shën Nëkolli, diftue e kanë. Dridhet ferri prej idhnimit, Kur
Shën Nëkolli n’ ball flakron, Hikë shejtani pre tmerimit Kur i k’shteni ndihmë
kërkon. Por nji të madhe porosí O i Shën Nëkollë, nji të madhe nderë Na fal
t’ gjithve si dhantí Ndore tande t’ jemë përherë. E n’at ditë që të jetë shenjue Prej
kso jete na me u hjekë, Ndore tande kjoshim lshue Ku gjithmonë na kjeme pshtetë. O
i Shën Nëkollë plot me dashtní, Shpirtënt tonë ti na i kujtò, Prap po të bâjmë
ket porosi: ti n’at’ jetë të gjith na pshtò! Marrë nga ‘Katekizmi i Kishës katolike’.