2012-12-05 17:23:51

Krishtlindja me Papën: “Ti, prej nga vjen?”.


Emisionin e dytë të rubrikës kushtuar Kohës së Ardhjes, e nisim me pyetjet kryesore: “Kush është Jezusi?”e “Prej nga vjen?”, të cilave u përgjigjet libri i Jozef Ratcinger, “sallë e vogël e hyrjes” në trilogjinë kushtuar Jezusit të Nazaretit, siç e quan vetë autori. Papa, duke na folur për Fëmijërinë e Krishtit, sipas teksteve biblike, përpiqet të ndriçojë identitetin e vërtetë të Jezusit të Nazaretit, për t’u prirë lexuesve në takimin personal me Të. Prandaj i hap reflektimet me pyetje, në rrethanat dramatike të ballafaqimit të Krishtit me Pilatin, që i drejtohet Zotit me fjalët: “Ti, kush je e prej nga vjen?”. Akuzuesit e patën dramatizuar kërkesën e tyre për dënimin me vdekje të Jezusit, duke deklaruar se Ai paraqitej si Bir i Zotit, krim për të cilin ligji parashikonte dënimin me vdekje. Gjykatësi romak e shikon këtë si kotësi. Po gjithsesi nuk arrin të çlirohet nga ndikimi i forcës misterioze, që dilte nga ky njeri. Ky ndryshonte aq shumë nga të tjerët, që luftonin kundër Perandorisë romake, për rindërtimin e mbretërisë së Izraelit. Gjykatësi romak pyet për zanafillën e Jezusit, sepse dëshiron të dijë kush është ai në të vërtetë e çfarë dëshiron. Zbret apo nuk zbret nga qielli? Pyetje, që del disa herë në pah në Ungjillin e Gjonit e edhe në ato sinoptikë e që shoqëron historinë e njeriut brezni pas breznie. E njëjta pyetje, që patën bërë Mbretërit e Lindjes, dijetarë e filozofë, studiues të lëvizjes së yjeve, për të zbuluar, përmes dritës së tyre, shkaqet e shqetësimit të zemrës njerëzore, në kërkim të përhershëm të atyre të vërtetave, që janë në gjendje t’i dhurojnë, më në fund, gëzimin e plotë.
E pikërisht në Ungjijtë e fëmijërisë, Jozef Ratzinger e gjen, duke e përshkruar mrekullisht mirë, rrënjën teologjike të gëzimit e na merr për dore, për të zbuluar të vërtetën e madhe, sipas së cilës Ungjilli nuk është historia e së kaluarës, por i përket së sotmes, njeriut bashkëkohor. E ndërsa Autori e shoqëron lexuesin në faqet ungjillore të Kumtit, që i jepet Marisë, të Lindjes së Zotit a të vizitës së Mbretërve Dijetarë, ja që arrihet në të sotmen: ekzegjeza e këtyre faqeve të sjell pikërisht në të sotmen. Sot, së bashku me Mbretërit Dijetarë, jemi para Foshnjes Hyjnore e Nënës së tij, sot i bëjmë vetes pyetjen për kuptimin e këtij takimi, sot vijojmë të pyesim si është e mundur që një Vashë t’i thotë ‘po’ Zotit , duke ia besuar vetveten, me korp e me shpirt.
Në sa afrohet Krishtlindja, libri i ri i Papës Ratcinger është rrëfim i gëzimit që, me Lindjen e Krishtit, dëftohet në varfërinë e një stalle. Për njeriun që beson, është një nxitje e re për të njohur në thellësi arsyet e fesë. E njëkohësisht Jozef Ratzinger – Papa Benedikti XVI - flet miqësisht me të gjitha ata që, si Mbretërit Dijetarë, janë në kërkim të shqetësuar, për të gjetur përgjigjen e pyetjes: “Nga vjen Jezusi?”, së cilës i përgjigjet Zoti vetë: “Linda e erdha në botë për të dëshmuar të vërtetën” (Gjn 18,37). Ungjijtë e Fëmijërisë së Jezusit nuk janë vetëm tekst informues, por sidomos formues. Prej këndej libri i ri i Papës na bën menjëherë për vete, sepse na vë përballë një historie gjithnjë aktuale. Na nxit të mendojmë për britmën e nënave në masakrën e fëmijëve të pafajshëm, britmë e përhershme, e përsëritur; britmë universale, që vijojmë ta dëgjojmë edhe në ditët tona. Vdesin fëmijë në të katër anët e Planetit e britma e nënave vijon të tundë botën. E rrëfimi nuk përfundon në faqet e librit, në rrethanat e tij historike.
Rrëfimi na çon shpesh nga kohët e Krishtit, në kohët tona, duke na rikthyer përsëri në fëmijërinë e Zotit. Prej këndej, nuk mund ta shikojmë thjesht si dhuratë Krishtlindjesh, sepse ky është një libër i mbështetur mbi Ungjillin e fëmijërisë, e ky Ungjill është për njerëz të rritur, me pjekuri në fe. Papa na fton, pra, t’ia hapim zemrën Zotit, që vjen. Duke u përgatitur për të kremtuar festën e madhe të Krishtlindjes, ky libër mund të na ndihmojë të krijojmë brenda nesh strehën, që Zoti të lindë e të dëftohet në një botë si jona, e cila ka aq shumë nevojë për Ungjillin e Tij.







All the contents on this site are copyrighted ©.