2012-12-05 13:03:57

Kongresi Kisha në Amerikë. Kardinali Ouellet: pa unitet të vërtetë nuk mund të ketë forcë misionare.


Të dielën e ardhshme Papa do t’u urojë mirëseardhjen në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, pjesëmarrësve në Kongresin ndërkombëtar “Kisha në Amerikë”, organizuar nga Komisioni Papnor për Amerikën Latine e nga Kalorësit e Kolombos, në bashkëpunim me Institutin e Lartë të Studimeve Guadalupane. Takimi i madh do të mbahet në Vatikan nga data 9, deri më 12 dhjetor.
Kongresi u paraqit në Sallën e Shtypit të Vatikanit nga kardinali Mark Ouellet, kryetar i Komisionit Papnor për Amerikën Latine.
Është takim me shumë rëndësi, që mblidhet 15 vjet pas Sinodit të ipeshkvijve për Amerikën Latine, përqendruar tek tema: “Takimi me Jezu Krishtin e gjallë, udhë për shndërrim, bashkim e solidaritet në Amerikë”, i cili përfundoi më 12 dhjetor 1997. Dy vjet më pas, fryti më i pjekur i kësaj asambleje, kujtoi kardinali Ouellet, ishte Nxitja apostolike Ecclesia in America, nga e cila do të frymëzohet edhe ky Kongres, tha Hirësia e Tij, për të thelluar lidhjet e bashkimit e të bashkëpunimit ndërmjet Kishave të Kontinentit:
“Trashëgimia e çmuar e fesë së krishterë, që sot po i nënshtrohet erozionit, shaktuar nga valët e shekullarizimit, nga ndikimi i kulturës globale, gjithnjë më e largët e më armiqësore si dhe nga përhapja e sekteve, ka nevojë të përhershme për rigjallërim, riformulim, riaktualizim”.
Është fjala, vijoi kardinali Ouellet, për të përballuar problemet e përbashkëta si dhe sfidat e reja të këtyre 15 vjetëve: nga tema e ngutshme e emigracionit, tek rrjeti i trafikut e i përdorimit të drogës; nga politikat për ta luftuar, tek dhuna në zemrën e qyteteve, posaçërisht në radhët e të rinjve; nga sulmet kundër kulturës së jetës, tek institucioni i familjes; nga promovimi i edukimit katolik, tek situata e tmerrshme e mjerimit; nga mbrojtja e lirisë fetare, tek mbrojtja e të gjitha lirive e të drejtave njerëzore, siç ka bërë vazhdimisht, me një prani të fortë publike, episkopati në SHBA. Kjo ndihmon, shpjegoi Hirësia e Tij, edhe për formimin e ndërgjegjeve si dhe për dëshminë e Kishës në kulturën bashkëkohore:
“Dhe gjithë kjo inkuadrohet brenda kushteve të reja të rishqyrtimit të marrëdhënieve politike, ekonomike e kulturore ndërmjet SHBA, Kanadasë dhe Vendeve latinoamerikane, në kërkim të dialogut më të thellë, të mirëkuptimit, të respektit, solidaritetit e drejtësisë”.
Prandaj, përfundoi kardinali Ouellet, duhen krijuar rrjete miqësie në të gjithë kontinentin, me ndjesi besnike të shërbimit e të përkatësisë ndaj Kishës. Pa harruar se këtu jetojnë 50% e katolikëve të mbarë botës:
Pa unitet të vërtetë e të fortë, nuk ka protagonizëm, as misionar e as shoqëror”.
Më se 200, pjesëmarrësit në Kongres, mbledhur nga mbarë kontinenti amerikan, si dhe drejtuesit e dikastereve të Vatikanit, eprorët dhe eproret e përgjithshme të Urdhërave e Kongregatave e rektorët e Kolegjeve Papnore me seli në Romë. Punimet do të nisin më 9 dhjetor, me një Meshë, në orën 18.30, në Bazilikën e Vatikanit, pasuar nga takimi me Benediktin XVI, e do të përfundojnë më 12 dhjetor, me një kremtim eukaristik, në orën 18.30, në kishën e Shën Marisë në Traspontinë, në festën e Zojës së Gudalupes, Pajtore e Amerikave.







All the contents on this site are copyrighted ©.