Benedikti XVI seminaristëve të Kolegjit Anglez: feja e pakicës mund t’i kallë zjarrin
botës.
Mjaftojnë pak njerëz me fe të patundur, për ta përhapur Ungjillin me shpejtësinë e
pikës së vajit. Këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën me drejtuesit dhe seminaristët
e Kolegjit të nderuar Anglez të Romës, të cilët i priti në audiencë, në Vatikan. Fjalim
i zjarrtë, ai i Benediktit XVI, sepse është pikërisht zjarri ai, që Papa kërkon ta
kallë flakë në gjirin e shoqërisë. Flakë feje, e nuk kanë aq rëndësi numrat, sa zelli
i atij, që e ndez. Përballë 70 anëtarëve të Kolegjit Anglez, mbledhur në Sallën Klementine,
Benedikti XVI u nis nga historia e lashtë, 650 vjeçare, e institucionit, që krenohet
me paraardhës si Shën Bonifaci, ungjillëzues i Gjermanisë, e para tij akoma, Papa
Gregori i Madh i cili, kujtoi, e nisi Shën Agostinin e Kanteburit për të mbjellur
farën e fesë në trojet anglosaksone. Gjashtë shekuj e kaluar, histori feje e martirizimi,
vërejti Ati i Shenjtë, e bënë tejet të dukshme një të vërtetë të madhe: “Those
who have truly encountered Christ… Ata që e takuan me të vërtetë
Krishtin, nuk mund të rrinin pa folur për Të. Shën Bonifaci, Shën Agostini Kanteburit,
Shën Françesk Saveri, festën e të cilit sapo e kremtuam, e shumë e shumë misionarë
të tjerë, na dëshmojnë se dashuria e zjarrtë për Zotin ngjall dëshirën e thellë për
t’ua çuar edhe të tjerëve, që ta njohin të gjithë”. E si mund të dëshmohet
Krishti? “Më mirë sot, se nesër”, është ftesa e Papës, i cili citoi atë që, në shekullin
XVI, qe moto e martirit të parë të Kolegjit Anglez, Shën Ralph Sherwin. Dhe është
e drejtë, shtoi Ati i Shenjtë, që nderoni kujtimin e 44 ish-nxënësve të Kolegjit
tuaj, të cilët derdhën gjakun për Krishtin. Duke përmendur Shën Ralph-in, Papa u kujtoi
seminaristëve: “You are called to imitate their love for the Lord… Jeni
të thirrur ta imitoni dashurinë e tij për Zotin e zellin e tij për ta bërë të njohur,
potius hodie cras (më mire sot se nesër). Pasojat, frytet, mund
t’i lëshoni plot besim në duart e Krishtit. Detyra juaj e parë, prandaj, është ta
njihni ju vetë Krishtin e koha e kaluar në seminar ju krijon rastin e përshtatshëm
për këtë njohje”. Lëreni Jezusin t’ju pushtojë me hirin e Tij, vijoi Papa,
posaçërisht duke komunikuar me Të përmes lutjes, në të cilën zemra i flet zemrës,
siç pati thënë i Lumi John Henry Newman, lartuar në nderimet e elterit pikërisht nga
Benedikti XVI, gjatë vizitës së tij në Mbretërinë e Bashkuar në vitin 2010. E duke
kujtuar ekzistencën e ‘etjes së madhe shpirtërore’, që vërejti gjatë këtij shtegtimi
apostolik, Papa kujtoi ungjillëzimin e ri në këto anë të botës, në të cilat flaka
e Ungjillit u ndez shumë kohë më parë, por, me kalimin e kohës nisi të zbehet të kthehet
në prush, e prushi në hi të vakët. Prej këndej, duhet t’i fryjmë përsëri prushit,
t’i fryjmë fort, që ta kallë flakë gjithë shoqërinë: “Just as a small fire
can set… Ashtu si flakëza e vogël mund të djegë një pyll të tërë,
kështu edhe dëshmia besnike e disave mund ta përhapë forcën spastruese e shndërruese
të dashurisë së Zotit me shpejtësinë e pikës e vajit, në gjirin e një bashkësie të
tërë, të një kombi të tërë”.