Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi njoftoi sot se çështja kryesore që nesër do
të diskutohet në takimin me kryeministrin e Serbisë, Ivica Dacic në Bruksel është
implementimi i Marrëveshjes për Menaxhimin e Integruar të Kufirit. Sipas Thaçit kjo
marrëveshje përcakton edhe kufirin në mes Shtetit të Kosovës dhe Serbisë. Në
mbledhje të qeverisë së Kosovës, kryeministri Hashim Thaçi tha se fillimi i implementimit
të kësaj marrëveshje shënon një kthesë në procesin e normalizimit të marrëdhënieve
në mes Shtetit të Kosovës dhe të Serbisë. Gjithnjë gjatë mbledhjes, kreu i ekzekutivit
njoftoi kabinetin qeveritar për takimin që do të mbahet nesër në Bruksel. “Dëshiroj
të theksoj se fillimi i implementimit të kësaj marrëveshje shënon një kthesë në procesin
e normalizimit të marrëdhënieve në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, një kthesë
në implementimin e kritereve dhe standardeve evropiane. Kjo marrëveshje përcakton
edhe kufirin në mes të shtetit të Kosovës dhe Serbisë, prandaj dëshiroj t’i falënderoj
të gjithë aktorët edhe ndërkombëtarë të kyçur në këtë proces, që janë duke ndihmuar
maksimalisht edhe Qeverinë e Kosovës, por që janë duke e lehtësuar këtë përkushtim
edhe të Serbisë”, ka thënë kryeministri Thaçi. Pos këtij argumenti, kryeministri
Thaçi bëri të ditur se do te diskutohet edhe për mundësinë e përmbylljes së procesit
të hapjes së zyrave ndërlidhëse të Shtetit të Kosovës në Beograd dhe të Serbisë në
Prishtinë, si dhe mundësinë e përshpejtimit të agjendës për fillimin e implementimit
të projektit infrastrukturor në mes të Kosovës dhe Serbisë, të autostradës Besi në
drejtim të korridorit evropian në Serbi.