Papa: ta përhapim mbretërinë e dashurisë, të drejtësisë e paqes
“Liturgjia e dielës së parë të Ardhjes na kujton kumtimin e ardhjes së dytë të Krishtit.
Na fton të jemi vigjilentë e të lutemi, në mënyrë që të jemi gati për takimin e hareshëm
me Zotin. Në këtë atmosferë e jetojmë kohen e pritjes”. Kështu tha Benedikti XVI në
mbarim të lutjes së Engjëllit të Tënzot, kremtuar në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan. “Zoti
që vjen të mos na gjejë të mbyllur apo të hutuar, po uroj që në çdonjërin prej nesh,
të mund ta zgjerojë sado pak mbretërinë e tij të dashurisë, të drejtësisë e të paqes”.
Kështu tha në vijim Papa duke komentuar pjesën ungjillore të dielës së Parë të Ardhjes,
gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot. Me të dielën e Ardhjes, me të cilën filloi Viti
Ri liturgjik, para nesh kemi“një udhëtim që pasurohet edhe më shumë nga Viti i fesë,
50 vjet nga hapja e punimeve të Koncilit Ekumenik të II të Vatikanit”. “Fjala ardhje
do të thotë prani apo pritje e nje ardhjeje”, tha Benedikti XVI, duke kujtuar se “në
botën e lashtë kjo fjalë tregonte vizitën e mbretit apo të perandorit në një provincë;
në fjalorin e krishterë fjala ardhje i referohet ardhjes së Zotit, pranisë së tij
në botë”. “Plani shpëtimtar i Zotit, që gjithmonë është në veprim e sipër, kërkon
vazhdimisht – shpjegoi Papa – aderimin e lirë dhe bashkëpunimin e njeriut”. “Në mesin
e ndryshimeve të botës, apo të shkretëtirave të indiferencës e të materializmit, të
krishterët – uroj Papa – e pranofshin nga Zoti shpëtimin dhe atë e dëshmofshin me
mënyrën e veçantë të jetesës, si një qytet i vendosur mbi kodër”. Bashkësia e besimtarëve,
pra, përfundoi Papa, qoftë “shenjë e dashurisë së Zotit, shenjë e drejtësisë së tij
që është qysh tani e pranishme në histori por që ende nuk është realizuar plotësisht,
e prandaj përherë duhet pritur, lutur, kërkuar me durim e guxim”.