2012-12-03 15:51:24

Papa: punëtori nuk është “mall” i parëndësishëm. Kapitalizmi financiar, kundër ekonomisë reale


Sot, punëtori konsiderohet shpesh “mall” i parëndësishëm, mjet i thjeshtë i një ingranazhi prodhues, që e shtyp dhe e minon familjen. Denoncimi vjen nga Papa Benedikti XVI, i cili, duke u folur sot pjesëmarrësve në asamblenë e përgjithshme të Këshillit Papnor “Drejtësi e Paqe”, kërkoi t’u jepen të gjithë punëtorëve të drejtat dhe t'u sigurohet dinjiteti, që u takon. Takimi me temë “Autoriteti politik dhe jurisdiksioni universal” do të vazhdojë në Vatikan deri të mërkurën. RealAudioMP3
“Doktrina shoqërore është pjesë përbërëse e misionit ungjillëzues të Kishës”, kujtoi Papa mësimin e madh të Enciklikës së Gjon Palit II “Centesimus annus”. Të pranosh Krishtin dhe Ungjillin, vazhdoi, do të thotë të kuptosh se të drejtat dhe detyrat e njeriut varen së pari, nga ligji moral natyror, i shkruar nga Zoti në ndërgjegjen e çdo njeriu e, pastaj, nga e vërteta mbi njeriun dhe shoqërinë. Pavarësisht nga hapat e bëra, nënvizoi Ati i Shenjtë, shoqëria e sotme karakterizohet nga individualizmi utilitarist dhe teknokracia, që priren ta zhvlerësojnë njeriun:
“Pavarësisht se i zhytur në një rrjet pa fund marrëdhëniesh e komunikimesh, njeriu i sotëm, paradoksalisht, duket shpesh i izoluar, sepse mbetet indiferent ndaj marrëdhënieve bazë të qenies së tij, atyre me Zotin, në të cilat ndodhen rrënjët e të gjitha marrëdhënieve të tjera. Njeriu i sotëm shihet kryesisht si qënie biologjike, ose si ‘kapital njerëzor’, ‘burim’, pjesë e një ingranazhi prodhues e financiar, që e shtyp”.
Një mekanizëm, i cili, nga njëra anë, e ngre në kupë të qiellit dinjitetin e njeriut, por nga ana tjetër, lëviz, i shtyrë nga ideologji aspak të shëndosha:
“Si ajo hedoniste dhe egoiste e të drejtave seksuale e riprodhuese, ose ajo e një kapitalizmi financiar pa rregulla, që nuk e pyet politikën dhe e shkatërron ekonominë reale, duke kontribuar që punëtori dhe puna e tij të konsiderohen si ‘pasuri më pak të rëndësishme’ e duke minuar kështu, themelet e natyrshme të shoqërisë, sidomos familjen”.
Për krishterimin, theksoi Papa, puna është pasuri themelore e njeriut, baza e integrimit në shoqëri, e formimit të familjes dhe e kontributit të tij për të mirën e përbashkët e për paqen:
“Pikërisht për këtë, objektivi për punësimin e të gjithëve është përherë parësor, edhe në periudha krize ekonomike (shih ‘Caritas in Veritate’,32).
Benedikti XVI foli për ungjillëzimin e ri të shoqërisë, i cili duhet të synojë në zëvendësimin e individualizmit e të konsumizmit me kulturën e vëllazërimit e të solidaritetit. Nga dashuria për të mirën e përbashkët, Papa Gjoni XXIII pati kërkuar lindjen e një autoriteti në favor të saj, tha Ati i Shenjtë:
“Natyrisht, Kisha nuk e ka për detyrë të sugjerojë, nga pikpamja juridike e politike, si duhet të jetë konkretisht një rend i tillë ndërkombëtar, por u jep atyre që duhet ta bëjnë këtë, parimet e reflektimet, kriteret e gjykimit dhe orientimet praktike, të cilat mund të garantojnë kornizën antropologjike dhe etike rreth së mirës së përbashkët (shih ‘Caritas in Veritate’,67).
Pra, shpjegoi Benedikti XVI, ky autoritet nuk duhet të jetë ndonjë lloj superfuqie, e përqëndruar në duart e pak vetëve, pasi kështu do të sundonte të gjithë popujt, do të shfrytëzonte më të brishtët:
“Çdo lloj autoriteti duhet të kuptohet, para së gjithash, si forcë morale, si aftësi për ndikim sipas arsyes (shih ‘Pacem in Terris, 27), pra, si autoritet me pjesëmarrje nga poshtë, i kufizuar në kompetenca nga ligji”.







All the contents on this site are copyrighted ©.