2012-12-03 10:21:28

Lufta kundër Sidës. Papa: terapia ekziston, por u mohohet fëmijëve të vendeve të varfëra


Sot, u kremtua në të gjithë botën Dita kundër Sidës, nismë e OKB-së për të tërhequr vëmendjen ndaj një sëmundjeje, që ka shkaktuar miliona viktima e vuajtje tragjike, të cilat janë edhe më të mëdha në rajonet më të varfëra të botës, ku nuk mbërrijnë ilaçet e terapitë. Edhe gjatë audiencës së përgjithshme të së mërkurës, Papa Benedikti XVI e ngriti zërin për këtë problem e foli sidomos për fëmijët:
“Në veçanti, mendimi im shkon tek numri i madh i fëmijëve, që çdo vit, infektohen me këtë virus nga nënat, pavarësisht se ka terapi për ta ndaluar përhapjen. Inkurajoj nismat e shumta që, brenda misionit të Kishës, punojnë për zhdukjen e këtij problemi”.
Që në librin-intervistë “Drita e botës”, Papa kujton impenjimin e Kishës në këtë front. Jo shumë vetë e dinë se mëse 25% e strukturave, që kurojnë të sëmurët nga Sida në botë, janë katolike. Në to shtrohen shumë fëmijë e Selia e Shenjtë nuk rresht së kërkuari uljen e çmimeve të ilaçeve nga ndërmarrjet farmaceutike. Shembuj pozitivë për këtë ekzistojnë. Në Tajlandë, është arritur të kapërcehen të drejtat e autorit, që pengojnë prodhimin e ilaçeve kundër Sidës në vend. Të dëgjojmë misionarin kamilian, atë Gjovani Kontarin, i cili ka themeluar një sërë qendrash për të sëmurët me Sidë, pikërisht në Tajlandë:
Sot kemi arritur rezultate të jashtëzakonshme. Është reduktuar në minimun transmetimi i sëmundjes nga nëna tek fëmija, është ulur numri vjetor i infektimeve nga 100 mijë në 13 mijë e, me përdorimin e gjerë të ilaçeve, kemi zvogëluar edhe numrin e vdekjeve nga Sida.
Atë Kontarin, si i keni kapërcyer të drejtat e autorit, që u sigurojnë ndërmarrjeve të mëdha farmaceutike monopolin për vite me radhë, pa lejuar uljen e çmimeve?
Kemi luftuar gjithnjë kundër kostos së të drejtave të autorit. Kemi arritur të prodhojmë në vend shumë prej ilaçeve e kemi nënshkruar kontrata ndërkombëtare me qeveritë e me ndërmarrjet e mëdha farmaceutike. Prandaj, kemi ilaçe të mira, me çmim të arsyeshëm, që blihen e shpërndahen nga qeveria tajlandeze. Ashtu si në Brazil, edhe në Tajlandë, kemi pasur guximin t’i prodhojmë këto ilaçe në vend, falë bashkëpunimit të disa grupeve jo qeveritare me industrinë farmaceutike shtetërore, që kryesohet nga një shkencëtare farmaciste, e cila është impenjuar në maksimum.
Ndërkaq, është e ndryshme gjendja në Afrikë, apo jo?
Në Afrikë ka shumë vende e shumë realitete. Në përgjithësi, shohim se në Afrikë nuk ka vendosmëri politike për të bashkëpunuar me ata që prodhojnë ilaçe në vend, duke lënë kështu të mbizotërojnë interesat e ndërmarrjeve farmaceutike shumëkombëshe. Duhet të jenë të pranishme të dyja aspektet: së pari, të rritet prodhimi në vend me mjetet në disponim, ose në bashkëpunim me ata që prodhojnë jashtë vendit e që mund të sjellin, edhe falas, makineri e mjete; së dyti, të luftohet që të arrihet bashkëpunimi ndërmjet organizatave, sistemeve politike e krerëve politikë me ndërmarrjet farmaceutike, në interes të tyre. Ilaçet që shpëtojnë jetën duhen prodhuar në disa vende.







All the contents on this site are copyrighted ©.