2012-12-03 16:39:49

Jeta e njeriu në çdo situatë e ka dinjitetin e vet, Kisha është afër atyre që vuajnë


“Me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të drejtave të personave me aftësi të kufizuara, Kisha dëshiron të shpreh afërsinë e saj ndaj atyre njerëzve që vuajnë nga forma të ndryshme të kufizimeve, fizike apo psikike. Në këtë mënyrë ajo pohon vlerën e fesë së vet, që përfshin e përqafon dhe jep kuptim çdo situate të jetës njerëzore, e po kështu Kisha bëhet edhe mbrojtëse e rojtare e së mirës që mund t’i shërbejë mbarë bashkësisë njerëzore, qoftë ajo edhe me kufizime fizike apo psikike, që përjeton vuajtjen e vet në Krishtin e për dashuri të Krishtit”. Kështu shkruan në mesazhin tij Presidenti i Këshillit Papnor për Punonjësit e Shëndetësisë, imzot Zygmunt Zimowski me rastin e Ditës Ndërkombëtare të të drejtave të njerëzve me aftësi të kufizuara.
“Para patologjive të ndryshme që kanë të bëjnë me kufizime fizike apo psikike – shton imzot Zimowski –është gjithmonë punë e rëndësishme të sensibilizohet opinioni publik me konceptet e dinjitetit, të të drejtave e të mirëqenies së mund të vijnë nga integrimi i tyre në aspekte e sfera të ndryshme të jetës shoqërore. Kisha pohon se ‘ikja para dhimbjes nuk e shëron njeriut, por aftësia e pranimit të vuajtjes dhe pjekuria e tij në të, duke gjetur pikërisht në dhimbje e në vuajtje kuptimin përmes bashkimit me Krishtin. Në marrëdhënie me vuajtjen e me njerëzit që vuajnë përcaktohet masa e njerëzimit tonë, për çdonjërin prej nesh si dhe për bashkësinë në të cilën jetojmë”. (Benedikti XVI, fjalimi me rastin e Simpoziumit kishtare të dioqezës së Romës, 9 qershor 2008).
Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara që në vitin 1993 e shpalli 3 Dhjetorin si Ditën Ndërkombëtare për Personat me Aftësi të Kufizuar. Përcaktimi i kësaj dite finalizoi iniciativat e hershme të Kombeve të Bashkuara për të ndërgjegjësuar komunitetin ndërkombëtar, për të njohur dhe përfshirë personat me aftësi të kufizuar në të gjitha sferat e jetës.
3 dhjetori synon të mobilizojë të gjithë botën për vëmendje më serioze në lidhje me nevojat, shqetësimet dhe aspiratat e më shumë se 600 milion PAK në të gjithë botën. Ajo gjithashtu synon të krijojë ndërgjegjësim rreth problemeve të tyre me këndvështrim të krijimit të modeleve konkrete, nëpërmjet programeve komunitare, kombëtare e ndërkombëtare, për t'u dhënë PAK një mënyre të re jetese.
Personat me aftësi të kufizuar vuajnë nga përjashtimi dhe diskriminimi në shoqëri, por edhe brenda familjeve të tyre. Ata rrallë shkojnë në shkolla. Gratë me aftësi të kufizuar janë të diskriminuara në shumë aspekte. Sipas UNESCO-s, një në gjashtë gra me aftësi të kufizuar ka mundësi të arsimohet, ndërsa martesa për to është një tabu. Duhet të kemi parasysh që aftësia e kufizuar është një program serioz jo vetëm për të drejtat e njeriut dhe zhvillimin, por për paqen dhe sigurinë ndërkombëtare.







All the contents on this site are copyrighted ©.