Vatikani e pret me mirëdashje votën e OKB-së, që i njeh Palestinës Statusin e Shtetit
Vëzhgues.
Vatikani priti me mirëdashje vendimin e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për njohjen
e Palestinës si “Shtet Vëzhgues jo anëtar”. Në një komunikatë të Selisë së Shenjtë,
izraelitët dhe palestinezët ftohen të rifillojnë bisedimet, ndërsa bashkësia ndërkombëtare
nxitet ta mbështesë ecjen në udhën e paqes së qëndrueshme. Vendim i rëndësishëm,
që duhet inkuadruar në përpjekjet për rrugëzgjidhjen përfundimtare të tensioneve ndërmjet
izraelitëve e palestinezëve. “Paqja ka nevojë për vendime të guximshme”: kështu, thënë
përmbledhtas, nota e Vatikanit përshëndet me mirëdashje vendimin e Asamblesë së OKB-së
për njohjen e Palestinës si Shtet Vëzhgues jo anëtar. Ripohohet se votimi tregon edhe
qëndrimin e shumicës së bashkësisë ndërkombëtare e njëkohësisht, bindjen se ky rezultat,
në vetvete, nuk mund t’i zgjidhë plotësisht problemet, që ekzistojnë në Rajon e se
këtyre problemeve mund t’u jepet përgjigjja e duhur vetëm duke u impenjuar faktikisht
për sigurimin e paqes. Paqe e stabilitet, saktësohet, bazuar mbi drejtësinë dhe respektimin
e aspiratave të ligjshme, si të izraelitëve, ashtu edhe të palestinezëve. I qartë,
referimi lidhur me rrugën juridike që nisi, pikërisht në Selinë e OKB-së, në vitin
1947, për të favorizuar si lindjen e Shtetit Izraelit, ashtu edhe të atij Palestinez,
ky i fundit akoma i pa krijuar. Në këtë kuadër, thirrja drejtuar Bashkësisë Ndërkombëtare
për të thelluar impenjmin e për të mbështetur udhën e paqes. Me rëndësi themelore
dhe thirrja, cituar në komunikatë, që Benedikti XVI pati bërë në përfundim të shtegtimit
të tij apostolik në Tokën Shenjte. ‘Kurrë më gjakderdhje’, ishte thirrja e Papës.
‘Kurrë më ndeshje!’. ‘Kurrë më terrorizëm!’. ‘Kurrë më luftë!’. E sidomos, nxitja
që të njihet universalisht se Shteti i Izraelit ka të drejtën të ekzistojë e të gëzojë
paqe e siguri brenda kufijve të njohur ndërkombëtarisht. Nota saktëson se Selia e
Shenjtë i ka ftuar disa herë prijësit e të dy popujve të rifillojnë me dashamirësi
bisedimet, duke shmangur kryerjen e veprimeve dhe vënien e kushteve, të cilat u kundërvihen
deklaratave vullnetmira si dhe të kërkojnë sinqerisht rrugëzgjidhje, që bëhen themele
të sigurta për paqen e qëndrueshme. Rast i përshtatshëm, përfundon nota, për të kujtuar
edhe qëndrimin e përbashkët, mbajtur në vitin 2000 nga Selia e Shenjtë dhe OLP për
të mbështetur njohjen e një statusi të posaçëm, ndërkombëtarisht të garantuar, për
Qytetin e Shenjtë, Jeruzalemin.