2012-11-30 17:36:06

Rojtari i fesë dhe ‘interpretimet heretike’ të Koncilit.


Për kryeipeshkvin Gerhard Ludwig Müller, edhe tradicionalistët nuk e respektojnë ortodoksinë, kur e shikojnë Koncilin II të Vatikanit, si stinë dimërore e Kishës.
Kush e shikon Koncilin e fundit si shkëputje nga Tradita e Kishës, e interpreton këtë ngjarje të madhe kishtare me frymë heretike. E nga ky gabim doktrinor nuk përjashtohen as novatorët modernistë, e as tradicionalistët e rinj, për të cilët Koncili II i Vatikanit, në karikaturën e propozuar prej tyre, i ka kthyer shpinën përgjithmonë e jetës, Kishës së përhershme. Këto devijime ‘heretike’ të pozitës së tradicionalistëve, i vuri në dukje këto ditë kryeipeshkvi Gerhard Ludwig Müller, prefekt aktual i Kongregatës për Doktrinën e Fesë. E bëri këtë, duke paraqitur Vëllimin VII të botimit në gjuhën gjermane të Opera omnia, apo veprës së plotë, të Jozef Ratcinger, që përmbledh në mënyrë sistematike të gjitha shkrimet, të cilat teologu i bërë Papë ia kushtoi Koncilit dhe dokumenteve të tij. Takimi i paraqitjes u organizua në një vend kujtimesh, e pikërisht në Bibliotekën e Kolegjit Teutonik të Shën Marisë së Shpirtit, vendbanim i teologut Jozef Ratcinger gjatë sesioneve konciliare.
Titullari aktual i dikasterit doktrinor, në fjalën e mbajtur me këtë rast, theksoi qartë se i vetmi interpretim ortodoks, pra i drejtë, i Koncilit II të Vatikanit, është ai, që e shikon këtë ngjarje të madhe, si rast për reformin e risim, në vazhdimësi të të vetmit subjekt: Kishës. Kjo ermeneutikë apo metodologi interpretimi, për Müllerin është e vetmja, që respekton tërësinë e pandarë ndërmjet Shkrimit Shenjt,Traditës së plotë e integrale dhe magjisterit, shprehja më e lartë e të cilit është Koncili, kryesuar nga Pasardhësi i Shën Pjetrit, si kryetar i Kishës së dukshme.
Këtij interpretimi ortodoks, kryeipeshkvi Müller i kundërvuri interpretimin ‘heretik’, duke e parë si ermeneutikë e shkëputjes, si në krahun progresist, ashtu edhe në atë tradicionalist. Të dyja drejtimet, sipas titullarit të sotëm të Zyrës Shenjte, i bashkon refuzimi i Koncilit. Progresistët, sepse dëshirojnë ta lënë pas shpine, si të ishte stinë që duhet braktisur, për të arritur tek një Kishë tjetër; tradicionalistët, sepse dëshirojnë të mos arrijnë kurrë, si të ishte një dimër tejet i akullt për Kishën Katolike.
Në Referatin tij, ish-ipeshkvi i Regensburgut, vuri në dukje kontributin e Jozef Ratcinger, një herë gjatë punimeve të Koncilit, edhe si bashkëpunëtor teologjik i kardinalit Jozef Frings, e më pas, në stinën e gjatë e të trazuar të përvetësimit të mësimeve konciliare. “Ishte çast i madh pritjeje. Duhet të ndodhte diçka e jashtëzakonshme”, shkruan Papa Benedikti XVI në parathënien e vëllimit I.







All the contents on this site are copyrighted ©.