2012-11-30 16:48:30

Presidentja e Kuvendi i Kosovës pritën Ramush Haradinaj


Presidentja e Kosovës, zonja Atifete Jahjaga, priti sot në takim ish-kryeministrin dhe kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinajn, me bashkëpunëtorët e tij.
Presidentja Jahjaga i uroi mirëseardhje z. Haradinaj dhe e uroi për lirimin e shpalljen të pafajshëm për të gjitha akuzat nga Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në Hagë. Ajo tha se ky është një gëzim jo vetëm për familjen e tij por edhe për të gjithë qytetarët e Kosovës, sepse kauza për të cilën ka luftuar Haradinaj dhe angazhimi i tij mbetet e pastër dhe kontributi i tij për shoqërinë dhe për Kosovën, ashtu si edhe në të kaluarën, do të jetë domethënës.
Presidentja Jahjaga theksoi se Kosova ka bërë hapa të rëndësishëm në proceset demokratike por tha se si çdo shtet tjetër në tranzicion po bëhen përpjekje që duke respektuar ligjin dhe Kushtetutën të realizohen synimet.
Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, e falënderoi presidenten Jahjaga për pritjen dhe për mbështetjen që i ka ofruar. Ai e vlerësoi gjithashtu gjithë pritjen që i është bërë në Kosovë pas lirimit nga Gjykata dhe tha se ka përcjellë me vëmendje gjithë proceset nëpër të cilat po kalon vendi.
Edhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës,. Jakup Krasniqi, i ka rezervuar sot një takim kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, i cili dje u shpall i pafajshëm nga Gjykata Ndërkombëtare e Hagës dhe u lirua nga paraburgimi. Kryesia e Kuvendit të Kosovës, në një takim të drejtuar nga dr.Jakup Krasniqi, në të cilin merrnin pjesë edhe shefat e grupeve parlamentare, ka shqyrtuar kërkesën e Grupit Parlamentar të AAK-së për Seancë solemne me rastin e lirimit nga Gjykata e Hagës të ish kryeministrit të Kosovës, z. Ramush Haradinaj.
Duke e vlerësuar lart kontributin e z. Ramush Haradinaj për çlirimin e Kosovës, angazhimet politike të tij, pas çlirimit të Kosovës dhe sjelljen e tij përballë drejtësisë, anëtarët e Kryesisë dhe shefat e grupeve parlamentare, të pranishëm në takim, njëzëri kanë vendosur që sot, më 30.11.2012, në orën 14:00, Kuvendi i Republikës së Kosovës të mbajë Seancë solemne me rastin e lirimit të z. Haradinaj.







All the contents on this site are copyrighted ©.