2012-11-30 16:40:34

Patriku Tval: Palestina, shtet në OKB, hap përpara për paqen.


“Hap përpara drejt paqes”: kështu e komenton Patriku latin i Jeruzalemit, imzot Fuad Tval, vendimin e Asamblesë së OKB-së për ta njohur Palestinën “si shtet vëzhgues, jo anëtar”. Ta dëgjojmë, në mikrofonin tonë:
Shprehim kënaqësinë tonë të madhe për këtë rezultat: së paku kësaj radhe, bashkësia ndërkombëtare e ndjeu veten të lirë të thotë atë, që mendon, pa shumë llogari. Ne këtu, në vend, gëzohemi bashkë me popullsinë e me presidentin Mahmund Abas, i cili arriti këtë fitore politike. Sigurisht, udha është e gjatë, akoma nuk jetojmë në paqe, nuk kemi jetë normale, që ua urojmë të gjithë banorëve të Tokës Shenjte, por kemi besim se do t’ia mbërrijmë asaj dite.
Para pak kohësh, shpërtheu konflikti i ri në Rripin e Gazës, por u arrit armëpushimi e tani, kjo fitore. Ju keni thënë shpesh se duhet një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme. A po ecet në këtë rrugë?
Ky është një hap përpara. Jam i sigurtë se ditën që do të kemi një shtet palestinez, të ndërtuar nga palestinezët, të qeverisur nga palestinezët, nga Mahmud Abasi për të filluar, do të jetë një hap përpara në favor të Izraelit. Pasi Izraeli do të ketë një shtet tjetër me të cilin të hyjë në dialog, të merret vesh për të mirën e të gjithë zonës. Nuk duhet të kemi frikë! Duhet ta kapërcejmë mosbesimin e ndërsjelltë për të thënë: mund të jetojmë në paqe, dy shtete fqinjë, njëri pranë tjetrit, siç ka uruar Ati i Shenjtë mëse një herë.
Si mendoni ju, a do të ndihmojë ky vendim për marrëdhënie më të mira ndërmjet Hamasit dhe Fatahut?
Po, sepse presidenti u kthye me fitore, me respekt e peshë më të madhe. Tashmë konsiderohet si president, që di të flasë e dëgjohet. Urojmë që harmonia të vendoset jo vetëm ndërmjet Fatahut e Hamasit, por edhe ndërmjet të gjithë popujve e të gjitha qeverive. Të mos harrojmë se Krishtlindja po troket në derë e duhet të përgatitemi në nivel institucional, qeveritar… popuj, njerëz e familje: Zoti i bekoftë të gjithë.







All the contents on this site are copyrighted ©.