Papa ipeshkvijve francezë: të përballohet urgjent padituria fetare
Ungjillëzimi i ri do të jetë vërtetë frytdhënës, në se do të mund t’i kundërvihet
paditurisë së fesë: këtë pohoi Benedikti XVI në audiencën me grupin e fundit të ipeshkvijve
francezë, në vizitë ‘ad Limina’, pritur sot paradite në Vatikan. Papa vuri theksin
posaçërisht mbi rolin e laikëve e, sidomos, të të rinjve, për t’i dhënë gjallëri e
shpresë të re të krishterë, Francës e Evropës. Së fundi, uroi të lindin thirrje të
reja meshtarake.
Një nga problemet më të rënda të epokës sonë, tha Benedikti
XVI, është injoranca fetare, në të cilën jetojnë shumë njerëz, duke përfshirë edhe
besimtarët e fesë katolike. E kjo situatë, vërejti Papa, duhet përballuar vendosmërisht,
siç u pohua edhe në Sinodin kushtuar ungjillëzimit të ri: “Il s’agit en realité
d’une double ignorance…” Është fjala, vuri në dukje Ati i Shenjtë, për injorancë
të dyfishtë, që ka të bëjë me njohjen e përciptë të Vetjes së Jezu Krishtit, e me
mosnjohjen e madhështisë së mësimeve të Tij, me vlerë universale për njeriun në kërkim
të së vërtetës e të së mirës. Kjo injorancë, vërejti Benedikti XVI, ndikon posaçërisht
mbi brezin e ri, duke e bërë të paaftë për të kuptuar historinë e për ta ndjerë veten
trashëgimtar i kësaj tradite, që formoi jetën, shoqërinë, artin e kulturën evropiane.
Kujtoi, më pas, se jemi në vijim të Vitit të Fesë e të impenjimit për ungjillëzimin
e ri, rast shumë i përshtatshëm për të përtërirë dëshminë në fe. Lutja e aksioni,
shtoi, janë mjetet që Shëlbuesi ynë na kërkon t’i përdorim edhe sot e kësaj dite: “La
nouvelle évangélisation sera efficace…” Ungjillëzimi i ri, pohoi Papa, do tëjetë i frytshëm, në se do t’i aktivizojë thellësisht bashkësitë famullitare.
E në vijim nënvizoi se shenjat e gjallërisë dhe të impenjimit të besimtarëve laikë
në shoqërinë franceze, janë tashmë realitet inkurajues. Laikët, së bashku me ipeshkvijtë
e meshtarët, janë protagonistët e jetës së Kishës e të misionit të saj ungjillëzues.
Laikët, tha në vijim Benedikti XVI, janë fytyra e botës në Kishë, por edhe
fytyra e Kishës në botë: “L’Eglise en Europe et en France ne peut rester…” Kisha
në Evropë e në Francë, vërejti më pas Ati i Shenjtë, nuk mund të shikojë me indiferencë
pakësimin e thirrjeve dhe të shugurimeve meshtarake. Është urgjente, prandaj, të mobilizohen
të gjitha energjitë, që të rinjtë të fitojnë aftësinë për ta dëgjuar zërin e Zotit. Më
pas Papa vuri theksin edhe mbi impenjimin e familjeve dhe të bashkësive të zellshme,
truall posaçërisht i favorshëm për thirrjet. Kujtoi edhe të rinjtë, shpresë e ardhmëri
e Kishës në botë, duke vënë posaçërisht në dukje rolin e edukimit katolik. Detyrë
e admirueshme, tha, ndonëse shpesh e vështirë, që u krijon të rinjve mundësitë për
t’i përvetësuar vlerat humane e kristiane, të cilat u prijnë në rrugën e së vërtetës,
të së mirës, të së bukurës. Institutet katolike, vijoi, janë në radhët e para të përpjekjeve
për favorizimin e dialogut ndërmjet fesë e kulturës. Në rrethana të tilla, lavdëroi
nismën e disa dioqezeve për të promovuar studimin teologjik të të rinjve. “La
théologie est une source de sagesse…” Teologjia, tha Papa, është burim dije
e gëzimi, që nuk mund të shfrytëzohet vetëm nga seminaristët, meshtarët e rregulltarët.
Në se i propozohet shumicës të të rinjve e të të rriturve, do t’i përforcojë në fe
e do t’i bëjë, pa dyshim, apostuj të guximshëm e bindës.