2012-11-30 17:46:47

Filloi Koha e Ardhjes, pritja e lindjes së Birit të Zotit. Atë Lombardi: Të presim e të shpresojmë?


Kisha Katolike filloi Kohën e Ardhjes. Nesër është e diela e parë, me të cilën fillojmë përgatitjen për një nga kohrat më të bukura të vitit liturgjik, atë të pritjes së ardhjes së Birit të Zotit në tokë. Prandaj, të dashur dëgjues, po e fillojmë programin e sotëm, pikërisht me një koment për këtë kohë. Është këndvështrimi i zëdhënësit të Selisë së Shenjtë, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
Edhe një herë, fillon Koha e Ardhjes. Kohë pritjeje e shprese, me vështrimin drejt Krishtlindjes. Në botë, nuk mungojnë probleme e situata, që na tërheqin vëmendjen si anëtarë të njerëzimit për udhë e si besimtarë. Mjafton një vështrim i shpejtë përreth nesh. Probleme krize ekonomike e papunësie, për shkak të të cilave, mbi shumë popuj rëndon një atmosferë pasigurie për të ardhmen e paaftësie për plane të reja. Probleme shoqërore e shëndetësore, si ato që u përmendën kohët e fundit në Ditët Botërore të impenjimit kundër dhunës ndaj grave e kundër Sidës. Probleme konflikti e dhune, si ato që mundojnë Sirinë, Malin, Nigerinë, Lindjen e Kongos, Somalinë, Afganistanin, Irakun. Probleme tensionesh shoqërore e politike, si në Egjipt.
Dritat e shpresës nuk shihen lehtë, megjithëse disa nuk mungojnë. Po vazhdojnë bisedimet në Kubë, ndërmjet qeverisë kolumbiane dhe guerriljes së FARC. Vota për Palestinën në Kombet e Bashkuara, a do të nxisë rifillimin e bisedimeve për paqen? Është e ligjshme të shpresojmë. Me një fjalë, jetojmë në mes të pyetjeve, shqetësimeve dhe shpresave të brishta. Koha e Ardhjes duhet të na ndihmojë të kërkojmë e të gjejmë arsyet e një Shprese me “Sh” të madhe, që të mos na lerë në krahët e mosbesimit e të mbështesë edhe shpresën njerëzore në këtë kohë pritjeje. Në fund të fundit, të gjitha përpjekjet e shkencës, të diplomacisë e të politikës në kërkim të paqes shoqërore, kombëtare e ndërkombëtare, kanë kuptim, janë të qëndrueshme e largpamëse, vetëm nëse kanë për bazë kthimin personal të zemrave, për t’u bërë kështu, veprimtarë të paqes, siç thotë Zoti. Prandaj, këtij qëllimi duhet t’ia kushtojmë Kohën tonë të Ardhjes, me lutje e impenjim.







All the contents on this site are copyrighted ©.