Festa shën Andreut apostull, ungjillëzuesit të shqiptarëve!
Sot më 30 nëntor kalendari Kishtar kremton Shën Andreun, Apostullin e parë
që ndoqi Krishtin, dhe më vonë solli tek Krishti edhe vëllain e tij, apostullin e
shenjtë Pjetër. Po kush ishte Shën Andreu? Portretin e Apostullit na përshkruan
Papa Benedikti XVI në audiencën e 14 janarit 2006. Pas Pjetrit dhe përvojës së tij
të jashtzakonshme njerëzore e shpirtërore, edhe Andreu, peshkatar si i vëllai, Simoni,
njeri plot fe e shpresë, dishepull i Shën Gjon Pagëzuesit, në kërkim të Mesisë, takohet
me Krishtin. E menjëherë pas këtij takimi, vrapon te Simon-Pjetri për t’i thënë: “E
kemi gjetur Zotin”. Ky është porteti i Shën Andreut, apostullit që do të gëzonte nderim
të thellë në gjirin e bashkësive të para të krishtera, por mbi të gjitha, që do të
kumtonte i pari Ungjillin ndërmjet grekëve, duke lidhur me një lidhje të posaçme dy
Kishat: atë romake me atë bizantine. Po kështu duhet të kujtojmë se sipas shën
Gregorit Nazianzeni, që përmend 30 nëntorin si date e festës së tij, Shën Andreu
Apostul ka predikuar Ungjillin e Krishtit dhe ka sjell krishterimin edhe në Illiri,
Epir, pra në trevat shqiptare e ndër shqiptarë. “Andreu, pra, qe i
pari ndërmjet Apostujve, që u thirr për ta ndjekur Jezusin. Mbi këtë bazë liturgjia
e Kishës bizantine e nderon me titullin Protóclitos, që do të thotë pikërisht ‘i thirruri
i parë’. Sipas një tradite tepër të lashtë, është Andreu apostulli që ia kumtoi Jezusin
botës greke. Pjetri, nga Jeruzalemi, përmes Antiokisë, arriti në Romë për të ushtruar
misionin e tij universal; ndërsa Andreu qe apostull i botës greke: ata, në jetë e
në vdekje, i shikojmë gjithnjë si vëllezër të vërtetë – të lidhur me një vëllazëri
që shprehet simbolikisht në lidhjen e posaçme të Selive të Romës e të Kostantinopojës,
Kisha vërtetë motra”. Duke lexuar fragmentet e Ungjijve, që flasin për veprimtarinë
apostolike të Shën Andreut, mund të njohim së afërmi personalitetin e Apostullit,
realizmin e tij në shumëzimin e bukëve, kur flet për djaloshin që kishte shportën
me bukë e peshq e vë në dukje se ishin tepër pak për të ngopur turmën. Ose kur, së
bashku me Pjetrin, Jakobin e Gjonin, e pyet Jezusin për rrenimin e Tempullit, duke
i krijuar kështu mundësinë të shqiptojë një fjalim të rëndësishëm mbi mbarimin e kohëve.
E duke e kujtuar këtë ngjarje, mund të arrijmë në përfundimin se nuk duhet të kemi
frikë t’i bëjmë pyetje Jezusit por, njëkohësisht, se duhet të jemi gati t’i pranojmë
mësimet që na jep Zoti, edhe kur na duken të çuditshme e të vështira. Është një mësim
themelor ky, që Shën Andreu ua jep të krishterëve kur, në Patras, përballon vdekjen
mbi kryq – mbi kryqin në formë iksi, të cilin ai nuk e shikon si një vegël torture,
por si mjet të pakrahasueshëm për t’u bërë një me Krishtin. “Ne duhet të marrim
prej këndej një mësim tepër të rëndësishëm: kryqat tonë fitojnë vlerë, në se i mbartim
si pjesë të kryqit të Krishtit. Vetëm nga ky Kryq edhe vuajtjet tona fisnikërohen
e fitojnë kuptimin e tyre të vërtetë. Andreu Apostull na mëson ta ndjekim Krishtin
me gatishmëri, t’u flasim me entuziazëm për Të të gjithë atyre që takojmë e, mbi të
gjitha, të mbajmë kurdoherë një lidhje vërtetë familjare me Të, të vetëdijshëm se
vetëm në Të mund të gjejmë kuptimin e fundit të jetës sonë e të vdekjes sonë”. Ky
është potreti i Shën Andreut, i përshkruar nga Benedikti XVI. Ky kremtim është
ftesë për të rinovuar besnikërinë tonë ndaj mësimeve të Apostujve, duke e shpallur
pa u lodhur fenë në Krishtin, me fjalë e me dëshminë e jetës.