2012-11-30 14:04:05

Dom Tomë Gjugja në një vjetorin e vdekjes


Dom Toma qe njeri i Zotit, i mirë, bujar, i gatshëm e i papërtueshëm kurdoherë për çdo person e për çdo besimtar, punëtorë i thjeshtë në vreshtin e Hyjit, prift i vëmendshëm ndaj nevojave të popullit, posaçërisht të varfërve e nevojtarëve, qe dëshmitar e predikues besnik i mësimeve ungjillore, atdhetar i bindur, mik i sinqertë.
Shërbëtori i Zotit dom Toma, meshtar i Kosovës, lindi më 04. 11. 1955 në fshatin Velezhë të Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, të mesmen në Prizren. Studimet filozofike e teologjike në Zagreb të Kroacisë.
Më 18. 07. 1987 shugurohet meshtar. Pas shugurimit shërben për dy vjet si kapelan në fshatin Stubëll në famullin e Shën Jozefit, pastaj si famullitar në fshatin Peshter (1989-1994).
Me 30. 09. 1994 shkon në Shqipëri, ku deri më 2001 shërben si famullitar në Gramz, duke shërbyer edhe në dy filiale tjera kishtare: Thuman dhe Borizanë. Më vonë, për dy vjet qe famullitar i Bizës - duke shërbyer edhe në kishën e shën Pjetrit në Fushë Drraç, në kishën e shën Vlashit në Drraç dhe në atë të shëna Ndout në Kep të Rodonit. Në verë të vitit 2003 transferohen në Durrës si ndihmës famullitar në Kishën e shën Luçisë.
Në vitin 2005 kthehet në Kosovë, dhe shërben deri në vitin 2007 si ndihmës famullitar në Bishtazhin në Kishën e Zojës Rruzare. Përkujdesej edhe për filialen kishtare të famullisë kishtare të Becit, në Janosh. Nga viti 2007 qe ndihmës famullitar në shenjtëroren e Zojës së Madhe në Letnicë.
Ndërroi jetë papritmas më 30. 11. 2011 pikërisht në Shenjtëroren më të njohur të Zojës së Madhe të Kosovës, në Letnicë të Vitisë.
Mesha e dritës dhe funerali u kremtuan në Kishën e Shën Nikollit në fshatin Velezhë të Prizrenit.
Ftesa e shën Gregorit nga Nisa se jemi “gjithmonë të prirë përpara”, mund të pohojmë se qe sintezë e modus operandi i meshtarit dom Tomë Gjugjës dhe një mesazh drejtuar komuniteteve të besimtarëve shqiptarë ku ai shërbeu, që e ruajnë kujtimin e tij të përjetshëm si thirrje për të “qëndruar të fortë gjatë udhës” drejt Amshimit. I përjetshëm qoftë kujtimi yt, o i lumturi dhe i përkujtuari vëllai ynë.







All the contents on this site are copyrighted ©.