2012-11-29 15:33:37

Çelësi i fjalëve të Kishës: Besojma e krishterë, pjesa e gjashtë


Të dashur dëgjues, në emisionin e 167-të të rubrikës sonë, vazhdojmë të flasim për “Besojmën e krishterë”. Kemi arritur tashmë drejt fundit të këtij simboli, pikërisht në pjesën kur pohojmë fenë tonë në Vetjen e tretë të Trinisë Shenjte. Themi:

Shpirti i Shenjtë, Fryma hyjnore, duket kaq i panjohur, por në të vërtetë, e përmendim çdo ditë, mjafton të bëjmë shenjën e kryqit. Ai quhet “banori i ëmbël i shpirtit”, “gishti i së Djathtës së Atit”. Në Letrën e parë të shën Palit drejtuar Korintasve, apostulli sqaron: “kush prej njerëzve di çka është në njeri përveç shpirtit të njeriut që është në të?” (2,11), e më tej: “askush nuk mund të thotë as: “Jezusi është Zot!”, veçse nën veprimin e Shpirtit Shenjt” (12,3). Është vetë Zoti, Ai që na ka dikuar në zemra Shpirtin e Birit të vet, i cili e thërret “Abba, Atë!”. Edhe Shpirti i Hyjit është Zot, si Jezusi, si Ati Qiellor. Janë tri Vetje të barabarta, që duke qenë një, dallohen nga njëri-tjetri. Besojma thotë se Shpirti i Shenjtë është edhe “jetëbërës”, pra jep jetën, e krijon atë së bashku me Atin dhe me Birin. Madje, vazhdohet

Besojma na thotë “rrjedh”, ndërkohë që për Jezu Krishtin, përdor fjalën “i lindur” prej Atit. Janë të dyja, fjalë që na tregojnë se Ati, Biri e Shpirti i Shenjtë janë një Zoti i vetëm, Tri Vetje të barabarta e të dallueshme.

Trinia e Shenjtë është një dhe e pandashme. Kur flasim për veprimin e njërës prej Vetjeve, duhet të kemi parasysh se është në bashkim me dy Vetjet e tjera. Dikush, për të na e shpjeguar pak më qartë këtë koncept të vështirë, ka përdorur një imazh jo të përsosur, por gjithsesi, të qartë: trekëndëshin barazbrinjësh, në të cilin të tria këndet dhe të tria brinjët janë të barabarta ndërmjet tyre, por dallohen mirë nga njëri-tjetri. E ashtu si Trekëndëshi nuk mund të jetë i tillë pa një kënd, apo pa një brinjë, edhe Trinia e Shenjtë nuk mund të kuptohet pa njërën prej Vetjeve Hyjnore. Ashtu si Ati e Biri, edhe Shpirti i Shenjtë adhurohet e lavdërohet në të njëjtën mënyrë. Pastaj, vazhdon “Besojma:

Shumë interesante kjo pjesë! Këtu, “Besojma” na thotë se Shpirti i Shenjtë është frymëzuesi i vërtetë i atyre, që shkruan Biblën. Çdo autor, që nga ungjilltarët tek apostujt e tek profetët e Besëlidhjes së Vjetër, secili nga ata, që kanë marrë penën për të hedhur në letër Shkrimin e Shenjtë, natyrisht, ka përdorur aftësitë, stilin, inteligjencën, njohuritë e veta historike, gjeografike e shkencore. Por, E VËRTETA e atyre shkrimeve nuk vjen prej tij, vjen nga Shpirti i Shenjtë. Prandaj, Bibla është Fjala e vërtetë e Hyjit. Vërtet është shkruar me penën e njerëzve, por është frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë, nga vetë Zoti.
Është kjo arsyeja, që para se të lexojmë Biblën, duhet të lutemi për të pasur Urtinë e Shpirtit të Trinisë Shenjte, duhet t’i kërkojmë Hyjit të na dikojë aftësinë për të kuptuar ç’është shkruar me frymën e Tij.
Më pas, në Besojmë, shpallim besimin tonë në Kishën Katolike e Apostolike, por për këtë do të flasim në emisionin e ardhshëm.







All the contents on this site are copyrighted ©.