2012-11-29 14:40:40

Papa Benedikti XVI në Twitter. Teknologjitë e reja në shërbim të Ungjillit.


Brenda pak ditësh Papa Benedikti XVI do të jetë i pranishëm në Twitter, në njërin ndër rrjetet shoqërore (social-network) më të përdorura në botë. Faqja e re e Papës do të prezantohet zyrtarisht të hënën e ardhshme, më 3 dhjetor, në Sallën e Shtypit të Vatikanit.
Kështu, kur Papa do të kalojë në twitter, mesazhi i tij do të mund të shpërndahet si dhe të bashkë ndahet në mënyrë sa më të gjerë. Kështu tha mes tjerash atë Antonio Spadaro, drejtor i revistës Civiltà Cattolica e ekspert i Internetit lidhur me shfaqjen e ardhshme të Papës në twitter- “Qysh në kohën e Papës Piut XI – shpjegon atë Spadaro – flitej për ‘një teknologji në shërbim të marrëdhënieve e jo thjesht si mjet propagande’. E në të vërtetë rrjetet shoqërore (socil network) jetojnë nga logjika e bashkë ndarjes, nga përhapja e mesazheve brenda për brenda marrëdhënieve”.
“Në të vërtetë e dimë mirë – vijon atë Spadaro – se si një mesazh i prezantuar në Twitter, mund të komunikohet sërish e më tej nga të tjerët për miqtë apo edhe të komentohet vet mesazhi. Prandaj do të thosha që kjo është përparësia apo vlera e pranisë së Papës Benediktit XVI në Twitter: mundësia e bashkë-ndarjes, duke përhapur sa më të tepër mesazhi ungjillor”. Lidhur me rrezikun të mundshëm që buron nga fakti se edhe Kisha ndjek një modë të re, jezuiti italian nënvizon se nuk bëhet fjalë për këtë, “ e madje kjo është mënyra më e gabuar për ta kuptuar praninë e Papës në Twitter. Nuk bëhet fjalë për përshtatje ndaj të rejave të fundit të momentit”. “Përkundrazi – shpjegon atë Spadaro – është një ndër pasojat më të natyrshme të mënyrës se si Kisha në dekadat e fundit, së paku që nga Papa Piu XI, e ka nënkuptuar e vendosur marrëdhëniet e vet me komunikimet shoqërore”. “Pastaj duket të kujtojmë se – vërejti Sapadaro – në Mesazhin e tij për Ditën e 46-të Botërore të komunikimeve shoqërore, Papa Ratcinger vërente se ‘duhen konsideruar me interes format e ndryshme të internetit e përdorimi i tij– fliste pikërisht për ‘rrjetet shoqërore’ – që mund të ndihmojnë njeriun e sotëm të gjejë hapësira për heshtje, raste për lutje, për meditim, për të ndarë së bashku Fjalën e Zotit’. Pra është qartë se kjo do të thotë një prani e krishterë absolutisht e veçantë në internet, prandaj jo ‘për modë’ apo për faktin që njeriu sot jeton edhe në rrjetë” të internetit. Qëllimi është komunikimi i Mesazhit sipas formës e mënyrës që kërkon Twitteri, paraqitje e mesazheve të shkurta, të gjata pak a shumë sa janë vargjet biblike.







All the contents on this site are copyrighted ©.