2012-11-29 15:03:15

Haga shpall të pafajshëm Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj


Gjykata Ndërkombëtare për Krime Lufte në ish-Jugosllavi me seli në Hagë, ka liruar nga të gjitha akuzat ish-luftëtarët e UÇK-së - Ramush Haradinaj, për të dytën herë, Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj. Vendimi i rigjykimit të pjesshëm që zhvillohej me akuzën për “vrasje, torturë dhe trajtim mizor, si krime që bien ndesh me ligjet dhe zakonet e luftës” u lexua nga gjykatësi i rastit, Bakone Justice Moloto. Ky lajm në Prishtinë u festua me fishekzjarrë, sikur edhe në Deçan e qytete të tjera Kosovës.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryeministri Hashim Thaçi kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime lufte në ish-Jugosllavi që shpalli të pafajshëm ish-kryeministrin e Kosovës Ramush Haradinaj.
Përmes një deklarate me shkrim Presidentja Jahjaga shpreh kënaqësinë që Haradinaj po i kthehet familjes së tij, qytetarëve të Kosovës dhe vendit për të vazhduar të japë kontributin e tij në konsolidimin dhe forcimin e proceseve demokratike nëpër të cilat po kalon vendi. “Vendimi i sotëm i Tribunalit të Hagës për zotëri Haradinajn dhe ish-bashkëluftëtarët e tij Lahi Brahimaj dhe Idriz Balaj, është edhe një dëshmi se lufta jonë e drejtë dhe prijësit e luftës tonë çlirimtare nuk janë fajtorë për krimet që u janë mveshur”.
Presidentja e Kosovës njëherit përgëzon qytetarët e Kosovës për bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës në përpjekje për të kërkuar drejtësi për krimet e luftës të kryera në Kosovë dhe durimin e tyre gjatë kësaj periudhe.
Kryeministri Thaçi uron të gjithë qytetarët e Kosovës për këtë fitore të shumë pritur dhe fton ata që të festojnë këtë moment me dinjitet dhe krenari. Thaçi rithekson se lufta për liri dhe pavarësi ka qenë e drejtë dhe e shenjtë. Kjo u vërtetua nga Tribunali Ndërkombëtar i Hagës sot, dhe do të dëshmohet përsëri me rastin e Fatmir Limajt dhe bashkëluftëtarëve të tij, theksoi ai.

Nga Serbia, zëdhënësi i Qeverisë së Beogradit, Millivoje Mihajlloviq, deklaroi se vendimi i Gjykatës së Hagës për të liruar ish-komandantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Ramush Haradinaj, Idriz Balaj dhe Lah Brahimaj, “është i turpshëm”.
“Kjo është një goditje e rëndë për drejtësinë dhe një pengesë serioze për vazhdimin e dialogut ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës”, ka thënë Mihajlloviq për mediat serbe.
Sipas tij, me këtë vendim “do të zhgënjehen të gjithë ata që mendojnë se do të ketë pajtim në rajon”.
Haradinaj, Balaj dhe Brahimaj janë rigjykuar pjesërisht nën akuzën për “trajtim mizor, torturim dhe vrasje të të burgosurve” në atë që quhej kampi ushtarak i Jabllanicës, më 1998”.







All the contents on this site are copyrighted ©.