2012-11-28 11:33:46

Shqipëri gëzuar 100-vjetorin e Pavarësisë! Për shumë vjet Festën e Flamurit!


Sot, 28 nëntor, ditë jubilare e 100-vjetorit të festës së Flamurit Kombëtar. Të gjithë shqiptarët, pa dallim, kudo jetojnë e punojnë, në trojet e tyre apo nëpër botë, kremtojnë me mirënjohje të thellë ndaj Zotit dhe ndaj Etërve të Kombit, kremtojnë me emocion të jashtëzakonshëm, me ndërgjegjësim të ri e me krenari të përtërirë Jubileun e 100-vjetorit të Ditës së shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë në Vlorë, më 28 nëntor 1912.
Ashtu siç ndodhi 100 vjet më parë, më 1912, kur u ngrit Flamuri Kombëtar, edhe në vitin jubilar 2012-të, qyteti Vlorës është zemra dhe epiqendra e kremtimeve kombëtare jubilare. Edhe sot shqiptarët shtegtojnë në Vlorën e 1912-tës, nga autoritetet më të larta shtetërore e qeveritare, tek autoritetet e personalitetet fetare, kulturore e përfaqësues të mbarë shoqërisë e të të gjitha trevave shqiptare. Të bashkuar në gëzimin e kremtimit të këtij Jubileu shtegtojnë tek rrënjët e Kastriotëve, tek simboli i lirisë, i pavarësisë, i ëndrrave dhe i idealeve për t’u përbetuar për ndërtimin e një të ardhme përherë e më të mirë të Atdheut të shqiptarëve, në gjirin e Kombeve më të qytetëruara e më të përparuara të botës.

Prandaj, të gjithë shqiptarëve e dëgjuesve tanë, redaksia shqipe e Radio Vatikani uron: “Gëzuar! Për shumë vjet Festën e Flamurit!” “Urime 100-Vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë!” Zoti i bekoftë shqiptarët! Zoti e bekoftë Atdheun tonë!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.